
Kryeministri ynë ka shërbyer ndër vite si një model frymëzimi në stilin që ka.
E nëse një pjese i duket i papërshtatshëm stili që përdor kreu i qeverisë, për disa të tjerë është shndërruar në shembull.
Dhe kur themi disa të tjerë, i referohemi meshkujve në Partinë Socialiste. Shefi i tyre, veç se si lideri në politikë është edhe lideri i tyre në përcaktimin e look-ut.
Fillimisht ishte thyerja e kostumit serioz që i bënte me atlete, më pas tek deputetët e PS ‘shkoi’ moda e mjekrës, ku shumë prej tyre i pamë të transformuar.
Tashmë Rama po shërben si model edhe në veshjen e tyre. Pikërisht kryeministri ka përcaktuar edhe ‘uniformën’ për këtë sezon.
Flasim për kostumin ngjyrë bezhë të lehtë, që prej disa kohësh ai po përdor.
Në vizita zyrtare, në inspektimin e punimeve, apo në festë, Rama ka zgjedhur të kombinojë kostumin veror, herë me T-shirt, e herë me këmishë. Por me të parë liderin e tyre, duket se edhe deputetët kanë nisur ta ‘përqafojnë’ modën e re.
Kështu, Rama bëhet edhe njëherë ‘blogeri’ i partisë së tij, teksa me vetëdije apo pa vetëdije dikton modën tek grupi i tij. E derisa ai të ‘lançojë’ tendencën e rradhës, ne do të jemi në pritje të shikojmë se cili do të jetë politikani i ardhshëm që do të frymëzohet prej tij.