Komediani dhe aktori britanik Russell Brand është akuzuar me dy vepra të reja penale, përfshirë një akuzë për përdhunim dhe një akuzë për ngacmim seksual.
Sipas Shërbimit të Prokurorisë së Kurorës (CPS), akuzat e reja lidhen me dy gra të ndryshme dhe pretendohet se kanë ndodhur në vitin 2009. BBC shkruan se Brand, 50 vjeç, pritet të dalë para Gjykatës së Magjistratëve në Westminster më 20 janar 2026 për t’u përballur me këto akuza.
Sjellim ndërmend se Brand më herët është deklaruar i pafajshëm për pesë akuza të tjera, përfshirë dy akuza për përdhunim, dy për ngacmim seksual dhe një për ngacmim të pahijshëm, të cilat lidhen me katër gra dhe ngjarje të ndodhura mes viteve 1999 dhe 2005 në Londrën qendrore dhe në Bournemouth.
Një gjyq për këto akuza origjinale është planifikuar të nisë më 16 qershor 2026 në Gjykatën e Kurorës në Southwark. Brand akuzohet se ka përdhunuar një grua në Bournemouth në vitin 1999, ka kryer një ngacmim të pahijshëm ndaj një tjetër gruaje në Westminster në vitin 2001, si dhe ka kryer një ngacmim seksual ndaj një gruaje tjetër mes viteve 2004–2005. Dy akuzat e tjera lidhen me përdhunim oral dhe ngacmim seksual ndaj një gruaje në vitin 2004.
Hetimet ndaj Brand nisën pas raportimeve të mediave britanike në shtator 2023, ku disa gra denoncuan sjelljen e tij. Policia Metropolitane ka deklaruar se viktimat po marrin mbështetje nga oficerë të trajnuar posaçërisht për raste të abuzimit seksual.
Russell Brand, i lindur në Essex, u bë i njohur si komedian dhe më pas si prezantues i emisionit televiziv Big Brother’s Big Mouth. Ai ka pasur edhe programe radiofonike në BBC Radio 2 dhe 6 Music. Më vonë, Brand ndërtoi një karrierë në Hollywood, duke luajtur në filma të njohur si “Forgetting Sarah Marshall” dhe “Get Him To The Greek“.
Akuzat ndaj Brand kanë shkaktuar debat të gjerë në opinionin publik britanik dhe ndërkombëtar, duke ngritur pyetje mbi kulturën e abuzimit në industrinë e argëtimit dhe mbrojtjen e viktimave. Proceset gjyqësore të vitit 2026 pritet të jenë ndër më të ndjekurat në mediat britanike.