
Studiuesit që po analizojnë mbetjet njerëzore në Pompei kanë zbuluar sekrete gjenetike nga eshtrat e një burri dhe një gruaje që u varrosën nga hiri vullkanik bashkë me qytetin romak.
Ky është "gjenomi njerëzor Pompeian i parë" dhe është një grup pothuajse i plotë i “i gjurmëve gjenetike" nga viktimat të koduara në ADN-në e nxjerrë nga kockat e tyre.
ADN-ja është ruajtur nga trupat e mbuluar nga hiri i ngurtësuar vullkanik. Eshtrat e dy personave të parë, një burri dhe një gruaje u zbuluan për herë të parë në vitin 1933, në atë që arkeologët e Pompeit e kanë quajtur Casa del Fabbro, ose Shtëpia e Zejtarit.
Arkeologët zbuluan se ata janë shtrirë në cep të dhomës së ngrënies, pothuajse sikur po hanin drekë kur ndodhi shpërthimi, më 24 gusht 79 pas Krishtit. Një studim i fundit sugjeroi se reja e madhe e hirit nga shpërthimi i malit Vezuv mund të ishte bërë vdekjeprurëse për banorët e qytetit në më pak se 20 minuta.
Dy viktimat që studiuan studiuesit, sipas antropologes Dr Serena Viva nga Universiteti i Salentos, nuk janë përpjekur që të arratisen.
"Nga pozicioni [e trupave të tyre] duket se ata nuk po largoheshin”, tha Dr Viva për Inside Science të BBC Radio 4. "Përgjigja se pse ata nuk po iknin mund të qëndrojë te kushtet e tyre shëndetësore."
Si ruajtja e jashtëzakonshme ashtu edhe teknologjia më e fundit laboratorike i lejuan shkencëtarët të nxjerrin një pjesë të madhe të informacionit nga një "sasi vërtet e vogël pluhuri kockash", siç shpjeguan shkencëtarët. Teknologjitë reja të sekuencave mund të lexojnë disa gjenome të tëra në të njëjtën kohë.
Studimi gjenetik zbuloi se skeleti i burrit përmbante ADN nga bakteret që shkaktojnë tuberkulozin, duke sugjeruar se ai mund të kishte pasur këtë sëmundje përpara vdekjes së tij dhe një fragment kocke në bazën e kafkës së tij përmbante mjaftueshëm ADN të paprekur për të përpunuar të gjithë kodin e tij gjenetik.
Kjo tregoi se ai ndante "shënues gjenetikë" - ose pika referimi të njohura në kodin e tij gjenetik - me individë të tjerë që jetuan në Itali gjatë epokës perandorake romake. Por ai gjithashtu kishte një grup gjenesh që gjenden zakonisht në ato nga ishulli i Sardenjës, gjë që sugjeronte se mund të kishte pasur nivele të larta të diversitetit gjenetik në të gjithë Gadishullin Italian në atë kohë.