PD kërkon shtyrjen e afatit të Komisionit për Reformën Zgjedhore

26 Nëntor 2026, 11:41Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
PD kërkon shtyrjen e afatit të Komisionit për Reformën
Oerd Bylykbashi

Deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, ka kërkuar gjatë fjalës së tij në Kuvend shtyrjen e afatit të Komisionit të Reformës Zgjedhore, duke iu drejtuar mazhorancës se i ka keqinformuar ekspertët e Komisionit të Venecias lidhur me objektin e asistencës që u është kërkuar.

Sipas tij, pavarësisht dakordësisë së arritur më herët në komision, ekspertëve ndërkombëtarë u është kërkuar ndihmë vetëm për ligjin e financimit të partive politike, duke lënë jashtë rekomandimet prioritare të OSBE/ODIHR-it.

 “E kam kërkuar dhe e kërkoj edhe këtu zgjatjen e afatit të reformës zgjedhore. Sot ka ardhur Komisioni i Venecias për të na dhënë asistencë, por, për fat të keq, shkresa juaj e ka keqdrejtuar dhe e kanë instruktuar në atë formë, duke i kërkuar vetëm asistencë për ligjin e financimit të partive politike.

Vendimi i Komisionit të Konsensusit ka qenë për t’i thirrur të gjithë ekspertët e Komisionit të Reformës, mbi të gjitha për ndarjen e shtetit nga partia, rekomandim prioritar i OSBE/ODIHR-it.

OSBE/ODIHR-i na ka kërkuar të dijë nëse do të zgjatet mandati dhe nëse do të ofrojë asistencën, siç e kemi kërkuar ne në mënyrë konsensuale në komision. Kështu që, së pari, duhet të sqaroni Komisionin e Venecias se ajo që keni kërkuar është e pamjaftueshme dhe, së dyti, duhet të vendoset shtyrja”, u shpreh ai.

Ndërkohë, kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, i është përgjigjur duke i thënë se Komisioni i Reformës Zgjedhore e ka afatin deri më 30 nëntor dhe se pas kësaj date nuk ka më të drejtë të marrë peng agjendën e anëtarësimit në BE.

“E ka afatin deri më 30 nëntor, pas kësaj date nuk e keni më të drejtën për të marrë peng agjendën tonë europiane. Ftesën e keni. Është hera e fundit që ne e zgjasim mandatin. I sigurt që do të rikthehemi sërish në një tjetër komision zgjedhor, por ky komision duhet të jetë serioz”, u shpreh Balla.


Vox Pop

Video