Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, zhvilloi një mbledhje të kabinetit të martën për të miratuar masa të reja sigurie, të cilat synojnë edhe të miturit, pas ditësh trazirash të shënuara nga përplasje me policinë, plaçkitje dhe vandalizëm.
Paketa prezanton një vepër të re penale të "pjesëmarrjes së dhunshme në një demonstratë", dënime më të ashpra për protestuesit dhe përgjegjësi të menjëhershme financiare për prindërit, fëmijët e të cilëve marrin pjesë në vandalizëm dhe plaçkitje.
"Dyqane të plaçkitura, dritare të thyera, forca të rendit të sulmuara: këto janë skena të papranueshme, të cilat askush nuk duhet të mendojë t'i minimizojë apo t'i justifikojë. Pikërisht për këtë arsye, Kabineti miratoi një dekret që përmban masa të reja për të parandaluar dhe luftuar këtë dhunë. Këto masa vijnë si shtesë e atyre të miratuara gjatë muajve të fundit duke filluar nga identifikimi biometrik, përfshirë këtu edhe përdorimin e inteligjencës artificiale për të zbuluar identitetin e atyre që fshihen pas një kapuçi", tha Meloni.
Qeveria italiane njoftoi gjithashtu vendosjen e 500 trupave shtesë të ushtrisë në Milano për të punuar së bashku me forcat policore dhe për të forcuar sigurinë në qytet deri në fund të vitit.
“Ndalimi parandalues, i cili deri më tani zbatohej vetëm për të rriturit, do të zgjerohet edhe për të miturit. Në Milano do të zbresin 500 personel ushtarak shtesë deri në fund të vitit, duke punuar së bashku me policinë dhe Karabinierët, ne po forcojmë sistemin e drejtësisë për të miturit me më shumë magjistratë dhe më shumë vende në qendrat e paraburgimit, në mënyrë që siguria e dënimit të zbatohet edhe për 16-vjeçarët", u shpreh kryeministrja italiane.
Masat vijnë pasi qindra protestues me kapuçë, shumë prej të cilëve besohet se janë të mitur, i vunë flakën kazanëve të mbeturinave dhe plaçkitën dyqane në Milano dhe qytete të tjera gjatë fundjavës, pas demonstratave fillimisht paqësore për shërbimet e dobëta publike dhe rritjen e kostove.
Meloni ka kaluar një rrjedhë të vazhdueshme masash të sigurisë që kur mori detyrën në vitin 2022, të cilat kritikët thonë se bëjnë pak për të adresuar shkaqet themelore të krimit dhe çrregullimit.
Në ditët e fundit, transportuesit kanë protestuar gjithashtu për rritjen e kostove të karburantit dhe transportit, duke çuar në mungesë të mallrave bazë në disa dyqane dhe radhë të gjata në stacionet e benzinës në Italinë jugore. Ata që thyejnë gjëra paguajnë, përfundoi Meloni.