
Një skemë e dyshuar për shkëmbim parash me ndikim politik ka shkaktuar përplasje mes aleatëve të presidentit amerikan Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, duke e shtyrë këtë të fundit të urdhërojë një hetim presidencial, sipas një raportimi të ri.
Trump kërkoi hetimin për të përcaktuar nëse një prej aleatëve të tij ka përvetësuar një donacion të konsiderueshëm që synonte Qendrën Kennedy, raportoi të hënën media amerikane Axios.
Në qendër të çështjes janë pretendimet se Richard Grenell, ish-drejtuesi i Qendrës Kennedy dhe aktualisht i dërguar i posaçëm presidencial, i kërkoi biznesmenit turk Turhan Mildon, në maj të vitit të kaluar, të transferonte rreth 17 milionë dollarë në kompaninë Texas Armament & Technology, me seli në Hjuston. Rreth 6 milionë dollarë nga kjo shumë dyshohet se do të përdoreshin për një donacion për qendrën e arteve skenike.
Sipas Axios, në një mesazh që i atribuohet Grenellit thuhet: “Pasi paratë të mbërrijnë te kompania këtu, unë do të organizoj donacionin për Qendrën Kennedy dhe ju do të merrni pjesë në aktivitetet VIP dhe do të keni mundësi të afroheni me administratën, madje edhe me presidentin e Shteteve të Bashkuara”.
Alina Habba, bashkëshortja e biznesmenit Mildon dhe ish-prokurore federale për Nju Xhersin, ka pretenduar se Qendra Kennedy nuk e mori kurrë donacionin. Grenell ka mohuar se e ka dërguar mesazhin dhe i ka cilësuar akuzat ndaj tij si të pavërteta.
“Unë nuk i kam kërkuar kurrë askujt të dërgojë qoftë edhe një cent diku tjetër, duke pretenduar se ishte për Qendrën Kennedy, dhe nuk kam marrë asnjë pagesë prej tij”, deklaroi Grenell më herët për Axios. Ai kërkoi që biznesmeni të paraqesë prova për pretendimet e tij.
Sipas raportimit, Mildon kaloi më shumë se një vit pa e kuptuar se Qendra Kennedy nuk e kishte marrë donacionin. Një pjesë tjetër e parave ishte parashikuar për një marrëveshje në Republikën Demokratike të Kongos, por detajet e kësaj marrëveshjeje mbeten të paqarta.
Më 9 tetor, Habba iu drejtua Trumpit në Zyrën Ovale, duke e akuzuar Grenellin se kishte mashtruar bashkëshortin e saj për ta bindur të paguante miliona dollarë për një donacion që nuk u realizua.
Megjithatë, sipas Axios, shuma e përmendur nga Habba ndryshoi gjatë deklarimeve të saj. Fillimisht ajo pretendoi se donacioni për qendrën e arteve skenike ishte 17 milionë dollarë, ndërsa shuma që duket se ishte parashikuar konkretisht për këtë qëllim ishte rreth 5.6 milionë dollarë.
“ Ajo nuk i kishte të gjitha faktet të qarta”, tha një zyrtar anonim i administratës për Axios, duke shtuar se Habba kishte shkuar te presidenti pa i pasur të gjitha informacionet. “Kjo nuk do të thotë se Ric është jashtë rrezikut. E gjithë kjo duket shumë e dyshimtë”, shtoi zyrtari, duke iu referuar Grenellit.
Pas ankesës së Habbas, Trump thirri këshilltarin ligjor të Shtëpisë së Bardhë, Will Scharf, dhe i kërkoi të hetonte çështjen. Më pas, të dy telefonuan Grenellin, i cili i mohoi akuzat.
“Nuk ka asnjë mundësi që kjo të jetë e vërtetë. Kjo është çmenduri”, mësohet të ketë deklaruar Grenell gjatë telefonatës, sipas Axios.
Javën e kaluar, avokatët e biznesmenit Mildon dorëzuan dokumente në Shtëpinë e Bardhë për shqyrtim.
Ndërkohë, persona të lidhur me Qendrën Kennedy kanë kontaktuar gjithashtu Shtëpinë e Bardhë, duke pretenduar se e kishin parë shpesh Mildonin në institucion, madje edhe në lozhën e rezervuar për zëvendëspresidentin.
“Mildon kishte akses. Atëherë, pse e kishte këtë akses?”, pyeti një zyrtar i administratës, ndërsa një tjetër shtoi se Trump kërkon përgjigje për shumë pikëpyetje që ngre çështja.
Sipas një sondazhi të Gallup të publikuar në shtator, një rekord prej 89% e amerikanëve besojnë se korrupsioni është i përhapur në qeverinë e Shteteve të Bashkuara.
“Uashingtoni është një qytet i korruptuar”, deklaroi zëvendëspresidenti JD Vance javën e kaluar, kur u pyet nëse kishte parë diçka brenda Shtëpisë së Bardhë që e shqetësonte. Megjithatë, ai shtoi se nuk kishte parë asnjë provë që Trump të ishte përfshirë në korrupsion apo ta kishte miratuar atë./Indipendent