Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka reaguar lidhur me protestat që po zhvillohen në Shqipëri, duke kërkuar nga institucionet shqiptare që të dëgjojnë dhe të trajtojnë kërkesat e studentëve protestues.
Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, Haxhiu u shpreh se zhvillimet në Shqipëri ndiqen me shqetësim edhe në Kosovë, duke theksuar lidhjen mes dy vendeve.
“Secili në Kosovë i ka përcjellë zhvillimet në Shqipëri. Ajo çfarë po ndodh atje sigurisht që na shqetëson të gjithëve, sepse Shqipëria për ne është shtëpi”, tha ajo.
Haxhiu theksoi se Kuvendi, Qeveria dhe Presidenca e Shqipërisë kanë përgjegjësinë të trajtojnë kërkesat e studentëve.
Ajo u shpreh kundër dhunës, duke nënvizuar se ajo duhet të ndalet nga të dyja palët.
Haxhiu: Kuvendi, Qeveria dhe Presidenca e kanë për obligim që t’i trajtojnë kërkesat e studentëve. Natyrisht që ne nuk e mbështesim dhunën, ajo duhet të ndalohet nga të dyja palët”, deklaroi kryeparlamentarja e Kosovës. Ajo kërkoi gjithashtu një qasje serioze nga institucionet shqiptare ndaj protestave, duke paralajmëruar se qëndrimet arrogante mund të shtojnë pakënaqësinë. Është e rëndësishme qasja serioze në raport me këto protesta – jo arroganca. Mendoj që arroganca vetëm i nxit protestat.