
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha më 30 shtator se Bekim Sejdiu mbetet kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) për president, pavarësisht tërheqjes së tij nga gara. Ai kërkoi takime të reja me opozitën gjashtë ditë para përfundimit të afatit për zgjedhjen e kreut të shtetit.
“Sa i përket kandidatit, ne e kemi kandidatin. Kandidati është profesor Bekim Sejdiu nga marrëveshja”, tha Kurti në një konferencë për media.
LVV-ja dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) e kishin propozuar Sejdiun si kandidat të përbashkët më 31 gusht. Por, një ditë më vonë, gjashtë deputetë të LDK-së u shprehën kundër kandidaturës së tij.
Sejdiu, ish-gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese dhe ish-diplomat, njoftoi tërheqjen më 14 shtator, duke përmendur mungesën e mbështetjes së nevojshme parlamentare dhe përplasjet e brendshme politike.
Kurti, ndërkaq, e interpretoi vendimin e Sejdiut si të kushtëzuar nga situata e krijuar pas moszbatimit të marrëveshjes, për të cilin fajësoi gjashtë deputetët e LDK-së.
“Nga pikëpamja e Lëvizjes Vetëvendosje, ne kemi marrëveshje politike dhe unë besoj që duhet ta respektojmë atë”, tha ai, duke shtuar se partia e tij nuk ka emër tjetër.
Kurti nuk sqaroi nëse kishte biseduar me Sejdiun për një rikthim të mundshëm në garë apo nëse ai ishte i gatshëm të kandidonte sërish.