
Kancelari i Gjermanisë, Olaf Sholz ka zhvilluar një takim me kryeministrin e Kosovës Albin Kurtin në selinë e tij në Berlin, ku pritet një takim dhe me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Në konferencën e përbashkët për mediat, Scholz dhe Kurti treguan detajet nga takimi i tyre.
Përveç dialogut Prishtinë-Beograd, tema kryesore e diskutimit duket se ka qenë dhe liberalizimi i vizave për Kosovën. Kurti deklaroi se Kosova i ka plotësuar kriteret, gjë për të cilën ra dakord edhe kancelari gjerman duke thënë se duhet bërë përparim.
“Edhe dy muaj bëhen katër vite prej se Komisioni Evropian e ka rekomanduar liberalizimin e vizave për Kosovën për herë të dytë. Është koha të thuhet se mjaft është mjaft. Kjo çështje duhet të vendoset në Këshillin e BE-së pasi Kosova i ka kryer detyrat e shtëpisë, dhe është radhe që edhe BE të kryej detyrat e saj”, u shpreh Kurti.
Lidhur me dialogun Kosovë-Serbi, Kurti tha se përqëndrimi duhet të jetë tek njohja reciproke.
"Kemi folur për dialogun me Serbinë, dialogu duhet të jetë i përqendruar me njohje reciproke. Pikëpamja e bindja jonë është që njohja reciproke duhet të jetë në qendër, jo në fund. Jemi të përqendruar për të pasur rezultate konkrete", tha Albin Kurti.
Ndërkohë, kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz paralajmëroi vizitë në Prishtinë. Ai u shpreh se është i lumtur për bashkëpunimin e qeverive të dy vendeve që do të forcojë pavarësinë energjetike dhe do të përmirësojë cilësinë e ajrit. Sa i përket liberalizimit të vizave, u shpreh se duhet të bëhet përparim i mëtejshëm dhe për këtë do të angazhohet me këmbëngulje.
“Përparimi i mëtejshëm duhet të bëhet tani edhe në liberalizimin e vizave për Kosovën. Qeveria federale e ka fiksuar këtë si objektiv në marrëveshjen e koalicionit. Për këtë unë angazhohem me këmbëngulje në Bashkimin Europian, në biseda me partnerët; angazhohem me këmbëngulje”, tha Scholz.
Scholz përmendi edhe bashkëpunimin rajonal duke thënë se ka vite që Gjermania angazhohet në këtë rajon me procesin e Berlinit. Ai përmendi katër marrëveshje të rëndësishme që tha se do të nënshkruhen në gjysmën e dytë të këtij viti në kuadër të Procesit të Berlinit.
“Projekti më i rëndësishëm është krijimi i një tregu të përbashkët rajonal”, tha Scholz duke paralajmëruar marrëveshje për lëvizjen e lirë të personave dhe njohjen e diplomave profesionale.