Presidenti aktual i Serbisë dhe lideri i Partisë Përparimtare Serbe, Aleksandar Vuçiç, shpalli fitoren në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare të mbajtura më 3 prill.
Sipas rezultateve paraprake të publikuara nga organizatat joqeveritare në Serbi, IPSOS/CeSid, kandidati i Partisë Përparimtare Serbe dhe presidenti aktual i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka fituar 59.8 për qind të votave në zgjedhjet presidenciale të mbajtura më 3 prill.
Këto të dhëna dalin pas përpunimit të 55.6 për qind të votave, që i japin Vuçiçit edhe një mandat pesëvjeçar në krye të Serbisë.
Ndërkaq, koalicioni opozitar "Të bashkuar për fitore" pritet të dalë partia e dytë parlamentare me 12.9 për qind të votave.
Të dielën, më 3 prill, qytetarët serbë votuan në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare, teksa zyrtarët zgjedhorë thanë se dalja në zgjedhje mund të jetë deri në 60 për qind të votuesve.