Presidenti amerikan Donald Trump konfrontoi presidentin e Afrikës së Jugut, Cyril Ramaphosa, në Shtëpinë e Bardhë të mërkurën duke i shfaqur një video që dyshohet se tregon trajtim të rëndë të fermerëve të bardhë.
Trump ka pohuar se fermerët e bardhë afrikano-jugorë po masakrohen dhe po detyrohen të largohen nga tokat e tyre.
“Po vriten, nuk duam të shohim njerëz që vriten. Lidershipi i Afrikës së Jugut do të vijë të më takojë. Po ndodh një gjenocid, dhe ju nuk shkruani për ta. Po vriten fermerë, janë fermerë të bardhë, nëse janë të bardhë apo të zinj nuk më duhet. Por po vriten dhe po u konfiskohen tokat. Ajo që po ndodh aty është e tmerrshme. Ne u kemi ofruar shtetësi këtyre njerëzve, të largohen andej dhe të vijnë këtu”, kishte deklaruar më herët Trump në një konferencë për mediat.
Kjo nuk është hera e parë e përplasjeve mes Trump dhe Ramaphosa.
Në vitin 2018, gjatë mandatit të tij të parë, Trump mori kritika nga qeveria e Afrikës së Jugut pasi postoi atë që zyrtarët e Afrikës së Jugut e quajtën "informacion të rremë" përmes mediave sociale në lidhje me "vrasjen në shkallë të gjerë të fermerëve" në vend.
Trump i kërkoi Sekretarit të atëhershëm të Shtetit Mike Pompeo të "studionte nga afër" situatën, pas një raporti nga Fox News që citonte se "qeveria e Afrikës së Jugut tani po uzurpon tokën fermerëve të bardhë".