
Një i ri nga Sardenja vdiq ditët e fundit në frontin ukrainas, ku po luftonte si vullnetar në Legjionin Ndërkombëtar përkrah forcave të armatosura të Kievit.
Ai është Manuel Mameli, 24 vjeç, i lindur në Cagliari më 14 mars të vitit 2000. Lajmi për vdekjen e tij iu komunikua familjes nga bashkëluftëtarët e tij, të cilët informuan edhe Ambasadën Italiane.
Sipas shokëve të tij në front, Mameli u vra nga një dron rus pranë Pokrovskut, në një zonë aktualisht të pushtuar nga forcat ruse. Pozicioni i ushtarit të rënë e bën të pamundur rikuperimin e trupit në këtë moment, një element shtesë dhimbjeje për të dashurit e tij.
Tani mbetet për t’u parë nëse dhe kur do të jetë e mundur të kthehet trupi i 24-vjeçarit në Itali dhe t’i bëhet një varrim dinjitoz, raportojnë mediat italiane.