
Donald Trump ka reguar sërish pas vendimit të Joe Biden për t’u tërhequr nga gara presidenciale për një mandat të dytë në zgjedhjet e nëntorit në SHBA.
Në një reagim në “Truth Social”, Trump shprehet se Biden “nuk ishte i përshtatshëm për të kandiduar për president dhe sigurisht nuk është i përshtatshëm për të shërbyer”.
“Joe Biden nuk ishte në gjendje për të kandiduar dhe aq më tepër për të shërbyer. Kurrë nuk ka qenë në gjendje për këto gjëra. Ai e fitoi postin e Presidentit me gënjeshtra dhe “Fake News”. Të gjithë ata që kishte rreth vetes, përfshirë doktorin e tij dhe median, e dinin që nuk ishte i aftë për të qenë President dhe ja ku doli që nuk ishte i aftë”, shkruan Trump.
Sipas ish-presidentit, Biden postin e Presidentit e arriti vetëm me gënjeshtra e Fake News.
“Ne do të vuajmë shumë për shkak të presidencës së tij, por do ta rregullojmë dëmin shumë shpejt. Le ta bëjmë Amerikën sërish të madhe!”.
Kujtojmë se Trump reagoi, menjëherë pas njoftimit të Biden, ku e cilësoi presidentin Biden si “presidenti i vetëm më i keq deri tani në historinë e vendit tonë”.