
Uashingtoni njoftoi se Presidenti Joe Biden ja bëri të qartë Presidentit Vladimir Putin se SHBA do të shqyrtojë të gjitha mundësitë, përfshirë këtu edhe angazhimin ushtarak në mbrojtje të Ukrainës, nëse Moska vendos ta pushtojë.
“SHBA së bashku me aleatët dhe partnerët tanë "do të përgjigjen me vendosmëri dhe do të imponojnë kosto të shpejta dhe të rënda ndaj Rusisë", njoftoi Shtëpia e Bardhë të shtunën.
Presidenti rus Vladimir Putin dhe presidenti i SHBA-së Joe Biden zhvilluan një bisedë telefonike për rreth një orë.
"Ndërsa Shtetet e Bashkuara mbeten të përgatitura për t'u angazhuar në diplomaci, në koordinim të plotë me aleatët dhe partnerët tanë, ne jemi po aq të përgatitur për të gjithë skenarët e tjerë," thuhej në deklaratë.
Para se të fliste me Biden, Putin foli me Presidentin francez Emmanuel Macron, i cili tha se të dy bien dakord për nevojën për të kërkuar një mjet diplomatik për t'i dhënë fund krizës gjatë bisedës së tyre telefonike. Të dy u takuan në Moskë në fillim të javës në një vizitë që Pallati Elysée tha se tregoi përparim në përpjekjet për të ulur tensionet.
Ndërkohë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy kritikoi pretendimet e fundit të SHBA-së se Kremlini po planifikon një pushtim në fillim të javës së ardhshme, duke thënë se ato "po shkaktojnë panik dhe nuk po ndihmojnë në zgjidhjen e situatës".
"Aktualisht, miku më i mirë i armiqve tanë është paniku në vendin tonë dhe i gjithë ky informacion shkakton vetëm panik dhe nuk na ndihmon", tha Zelenskyy.
Gjithashtu, ambasada amerikane në Ukrainë ka tërhequr zyrtarisht stafin e saj jo thelbësor, ndërsa Gjermania dhe Lituania iu bashkuan një numri vendesh që këshillojnë qytetarët e tyre të largohen për shkak të rritjes së niveleve të kërcënimit.
Rusia ka grumbulluar trupa pranë kufirit me Ukrainën dhe ka dërguar forca të tjera në Bjellorusinë fqinje për stërvitje të përbashkëta. Megjithatë, Kremlini mohon me këmbëngulje se synon të nisë një ofensivë kundër Kievit.
Pentagoni nga ana tjetër urdhëroi një shtesë prej 3,000 trupash amerikane në Poloni për të siguruar aleatët. Biden më herët ka thënë se ushtria amerikane nuk do të hyjë në një luftë në Ukrainë, por ai ka premtuar sanksione të rënda ekonomike kundër Moskës në bashkëpunim me aleatët ndërkombëtarë.