Socialisti Emmanuel Grégoire është zgjedhur kryetar i Parisit, duke mposhtur kandidaten e djathtë Rachida Dati në raundin e dytë të zgjedhjeve vendore në Francë.
Grégoire, i cili kandidoi në një koalicion të majtë me përfshirjen e të gjelbërve, siguroi rreth 52% të votave, duke konfirmuar vijimësinë e drejtimit të kryeqytetit nga e majta pas më shumë se dy dekadash. Ai pritet të vazhdojë politikat pro-mjedisore dhe pro-transportit alternativ të ndjekura nga paraardhësja e tij, Anne Hidalgo.
Në deklaratën e parë pas fitores, Grégoire theksoi se prioritet do të jenë shtresat më vulnerabël dhe çështjet sociale, duke e cilësuar rezultatin si një përgjegjësi të madhe ndaj qytetarëve të Parisit.
Zgjedhjet vendore u konsideruan një test i rëndësishëm për klimën politike në prag të zgjedhjeve presidenciale të ardhshme në Francë.
Rezultatet treguan gjithashtu një frenim të forcave të ekstremit të djathtë të udhëhequra nga Marine Le Pen dhe partia e saj Rassemblement National, e cila nuk arriti të fitojë në disa nga qytetet kryesore që kishte në shënjestër, përfshirë Marseille dhe Toulon.
Në Marseille, kryetari aktual Benoît Payan ruajti postin me një koalicion të majtë, duke penguar avancimin e së djathtës ekstreme. Ndërkohë, në qytete të tjera pati rezultate të përziera për forcat politike, me disa fitore të pjesshme të ekstremit të djathtë në zona më të vogla.
Një zhvillim tjetër i rëndësishëm ishte rizgjedhja e ish-kryeministrit Édouard Philippe si kryetar i Le Havre, çka pritet të forcojë ambiciet e tij për një kandidim në zgjedhjet presidenciale të ardhshme.
Rezultatet e këtyre zgjedhjeve konfirmojnë një panoramë të fragmentuar politike në Francë, ku e majta mban bastionet urbane kryesore, ndërsa e djathta dhe ekstremi i djathtë vazhdojnë të kërkojnë terren në nivel kombëtar në prag të garës presidenciale.