SHBA sulmoi anijen me trafikantë droge nga Venezuela, publikohen pamjet (VIDEO)

3 Shtator 2025, 09:51Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

SHBA sulmoi anijen me trafikantë droge nga Venezuela, publikohen pamjet

Presidenti amerikan, Donald Trump, publikoi të martën pamje të ushtrisë së SHBA-ve duke ndërmarrë një operacion ushtarak në jug të Karaibeve, kundër një anijeje që, sipas tij, transportonte lëndë narkotike nga Venezuela.

Trump deklaroi se mjeti detar ishte në kontrollin e grupit kriminal Tren de Aragua (TDA) dhe se gjatë sulmit, 11 persona të cilët ai i cilësoi si terroristë u eliminuan nga forcat amerikane. Ky aksion përfaqëson një nga ndërhyrjet e rralla të ushtrisë amerikane në këtë rajon.

Sipas Departamentit të Shtetit të SHBA-së, Tren de Aragua, një grup me origjinë nga Venezuela, është shpallur organizatë e huaj terroriste.

Ky zhvillim ndodh në kohën kur SHBA ka shtuar praninë e saj detare pranë brigjeve të Venezuelës, si pjesë e përpjekjeve për të goditur rrjetet e trafikimit të drogës në Amerikën Latine. Deri tani, nuk ka pasur sinjale për ndonjë operacion tokësor.

Në reagim ndaj kësaj ngjarjeje, presidenti venezuelian Nicolás Maduro urdhëroi vendosjen e trupave përgjatë kufirit me Kolumbinë dhe në zonat bregdetare, ndërkohë që u ka bërë thirrje qytetarëve të angazhohen me forcat paraushtarake.

“Në orët e para të mëngjesit, me urdhrin tim, forcat e armatosura të SHBA-ve ndërmorën një goditje të drejtpërdrejtë ndaj një grupi narkoterroristësh të Tren de Aragua, të vendosur brenda zonës së operacioneve të SOUTHCOM. Ky grup është një organizatë terroriste e huaj që operon nën drejtimin e Nicolás Maduro dhe është përgjegjës për krime të rënda, përfshirë vrasje në masë, trafik droge, shfrytëzim seksual dhe dhunë në SHBA dhe në gjithë rajonin perëndimor,” deklaroi Trump.


Vox Pop

Video