
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar këtë të dielë pas mbylljes së procesit të votimit në katër komunat veriore, proces, i cili u bojkotua nga serbët.
Përmes një postimi në Facebook, Osmani shkruan se kjo ka ndodhur për shkak të presionit të Beogradit dhe se presidenti serb Aleksandër Vuçiç shkeli fjalën që u kishte dhënë ndërkombëtarëve.
Në fund, Osmani shkruan se Kosova tregoi maturi dhe përkushtim ndërsa masat ndëshkimore ndaj saj duhet të hiqen menjëherë.
Qytetarët në masë të madhe nuk e shfrytëzuan këtë mundësi. Për fat të keq, kjo kryesisht ndodhi për shkak të presionit të Beogradit, të ekzekutuar nga Lista Serbe dhe strukturat ilegale kriminale. Edhe njëherë, Serbia kreu ndërhyrje të paligjshme në një proces zgjedhor të një shteti tjetër. Edhe njëherë, Vuçiqi shkeli fjalën që ua kishte dhënë partnerëve ndërkombëtarë. Por, Kosova sërish dëshmoi maturi, organizim e respektim të plotë të ligjeve e kushtetutës, duke ju ofruar të gjitha komuniteteve, pa dallim, mundësinë që ata të zgjedhin vetë se kush dëshirojnë t’i përfaqësojë. E falënderoj Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, institucionet tona të sigurisë, si dhe partnerët tanë për punën, përkushtimin dhe bashkëpunimin. Me organizimin e procesit të sotëm, Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet e kërkuara nga BE-ja. Masat e padrejta kundër Kosovës duhet të hiqen menjëherë.