Rusia nuk do të ndërpresë furnizimin me gaz për Europën para gjysmës së prillit

1 April 2022, 16:37Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Rusia nuk do të ndërpresë furnizimin me gaz për Europën

Rusia ka thënë se nuk do të ndërpresë ende eksportet e gazit në Europë në lidhje me përplasjen që ka shpërthyer për pagesën e këtij produkti në rubla, prej datës 1 prill.

Presidenti rus Vladimir Putin nënshkroi një dekret të enjten ku thuhet se blerësit duhet të paguajnë në rubla përmes llogarive bankare ruse nga e premtja.

Kremlini tha se kjo nuk do të ndikojë në dërgesat të cilat tashmë ishin paguar, por me pagesa për dërgesat pas 1 prillit që duhet paguhen deri në mes të muajit.

Moska po kërkon të forcojë rublën e zhvlerësuar nga dara e sanksioneve ndërkombëtare.

"A do të thotë kjo se nëse nuk ka konfirmim në rubla, atëherë furnizimet me gaz do të ndërpriten nga 1 prilli? Jo, nuk është kjo që parashikon dekreti”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

BE tha se po fliste me kompanitë energjetike se si do ta paguanin gazin.

Ditte Juul Jorgensen, drejtoresha e përgjithshme e drejtorisë së energjisë së Komisionit Europian, postoi në Tëitter se BE-ja "po punonte ngushtë me shtetet anëtare dhe operatorët... për të vendosur një qasje të përbashkët mbi pagesat në monedhë për kontratat e gazit me Rusinë".

Që kur Rusia pushtoi Ukrainën, vendet perëndimore kanë vendosur sanksione ndaj kompanive dhe individëve rusë. Ndryshe nga SHBA-ja dhe Kanadaja, BE-ja nuk ka vendosur ndalime për naftën ose gazin rus, pasi vendet anëtare të saj varen shumë nga eksportet ruse.

Rusia furnizon Bashkimin Europian me rreth një të tretën e importeve të saj të gazit dhe naftës, të cilat kryesisht paguhen në euro dhe dollarë.

BE-ja nuk ka zëvendësues të lehtë nëse furnizimet ndërpriten, por në të njëjtën kohë, Rusia po fiton 400 milionë euro në ditë nga shitja e gazit në bllok dhe ka shumë pak mundësi për të ridrejtuar këtë furnizim në tregje të tjera.

Shtetet anëtare të BE-së kanë qenë në gatishmëri për çdo ndërprerje të importeve të gazit rus, ndërsa tensionet për pushtimin e Ukrainës mes Rusisë dhe Perëndimit vazhdojnë.

 


Video