Putin urdhëron ushtrinë të vërë në gatishmëri mbrojtjen bërthamore

27 February 2022, 14:36Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Putin urdhëron ushtrinë të vërë në gatishmëri

Presidenti rus Vladimir Putin ka urdhëruar sistemin mbrojtës bërthamor të jetë në gatishmëri. Gjatë një takimi me ministrin e Mbrojtjes në Kremlin, Putin i ka cilësuar sanksionet e perëndimit “jolegjitime” dhe ka urdhëruar gjendjen e gatishmërisë për forcat e mbrojtjes bërthamore.

“Vendet perëndimore jo vetëm që po vendosin sanksione armiqësore ndaj nesh, por liderët e vendeve të mëdha të NATO-s po bëjnë deklarata agresive kundrejt Rusisë. Për këtë arsye urdhëroj gatishmërinë e sistemit të strukturave të mbrojtjes bërthamore”, ka thënë lideri i Kremlinit.

Ndërkohë për presidentin bjellorus Alexander Lukashenko, aleat i ngushtë i Vladimir Putin, sanksionet kundër Rusisë janë “më keq se një luftë. Rusia po shtyhet drejt Luftës së Tretë Botërore”.

“Në një situatë si kjo duhet të jemi të përgjegjshëm për sanksione të tilla. Flitet për sektorin bankar, gazin, Sëift. Është më keq se lufta. Rusia po shtyhet drejt një Luftë të Tretë Botërore. Duhet të jemi të kujdesshëm dhe ti qëndrojmë larg kësaj. Sepse lufta nukleare është fundi i gjithçkaje”, tha Lukashenko, sipas agjencisë Tass.

 


Video