Presidenti rus Vladimir Putin e ka lavdëruar biznesmenin amerikan Elon Musk duke e quajtur si një “person të jashtëzakonshëm”.
Putin e bëri komentin gjatë Forumit Ekonomik Lindor në Vladivostok të Rusisë teksa foli për programin hapësinor të vendit të tij.
“Elon Musk... është padyshim një person i jashtëzakonshëm. Duhet pranuar. Unë mendoj se e gjithë bota e pranon këtë. Ai është një biznesmen aktiv dhe i talentuar”, tha Putin, sipas një përkthimi të Reuters.
Putin tha se Musk bën biznes me mbështetjen e shtetit amerikan. Presidenti rus shtoi se Moska është “e gatshme të zhvillojë” mbështetje për bizneset private në vend.
Kujtojmë se Musk ka qenë në qendër të kritikave gjatë ditëve të fundit pas zbulimit se i ndërpreu shërbimin e internetit ushtrisë ukrainase gjatë momentit që po sulmonin me dronë flotën luftarake ruse.
Musk i kishte kërkuar në sekret inxhinierëve të “Starlink” të fiknin internetin, duke bërë që sulmi të dështonte. Sipas pretendimeve, Musk e bëri këtë që të mos eksalonte luftën me një përgjigje bërthamore të rusëve.