Putin kërcënon perëndimin: Do ju godasim si rrufe!

27 April 2022, 20:04Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Putin kërcënon perëndimin: Do ju godasim si rrufe!

Vladimir Putin ka bërë një kërcënim të ri për Perëndimin, duke thënë se çdo vend që do të ndërhyjë në Ukrainë do të përballet me një përgjigje ushtarake "të shpejtë si rrufe".

"Ne i kemi të gjitha mjetet për këtë, që askush tjetër nuk mund të mburret se i ka... do t'i përdorim ato, nëse është e nevojshme. Ne kemi marrë tashmë të gjitha vendimet për këtë”, tha Putin.

Paralajmërimi i tij i fundit vjen pasi vendet perëndimore kanë rritur mbështetjen ushtarake për Ukrainën ditët e fundit.

Të martën, Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin u zotua të lëvizë "qiellin dhe tokën" për t'u siguruar që Ukraina të mundë Rusinë.

Ditët e fundit ka pasur një numër në rritje të premtimeve për të rritur mbështetjen ushtarake për Ukrainën, duke përfshirë njoftimin e Gjermanisë se do të dërgojë 50 tanke kundërajrore, në një kthesë të fortë të qëndrimit të vet politik për të mos dërguar armatim të rëndë në Ukrainë.

Britania e Madhe gjithashtu pritet që të kërkojë që Ukrainës t’i vihen në dispozicion avionë ushtarakë.

Në fillim të kësaj jave, Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov gjithashtu pretendoi se Perëndimi "po i hedh benzinë zjarrit" duke i dhënë Ukrainës armatime dhe tha se konflikti mund të çojë në Luftën e Tretë Botërore.

Paralajmërimi i Putinit vjen pasi tensionet u rritën më tej me njoftimin e Gazprom që ndërpreu furnizimin me gaz për Poloninë dhe Bullgarinë, duke thënë se kjo është për shkak se vendet refuzuan të ndiqnin rregullin e ri të Moskës për të paguar gazin në rubla.


Video