Të shtëna me armë zjarri janë regjistruar drejt një patrulle policie mbrëmjen e sotme në veri të Kosovës, më konkretisht në Banjskë – Izvor të komunës së Zveçanit.
Autoritetet kosovare raportojnë se fatmirësisht nuk ka patur persona të lënduar, por vetëm dëme materiale të shkaktuara në makinën zyrtare të Policisë së Kosovës, përkatësisht në dritaren/xhamin e automjetit zyrtar nga ana e majtë e tij.
“Njësitet relevante policore kanë vazhduar me hetime intensive, duke arritur të identifikojnë një veturë të dyshuar të braktisur [xhip-opel], në një rrugë malore në distancë prej rreth 250 metra largësi, e cila dyshohet se mund të jetë e përfshirë në rast. Po ashtu në afërsi të automjetit të dyshuar janë vërejtur edhe gjurmët e personave të dyshuar të cilët kanë ikur në drejtim të panjohur”, thuhet në njoftim.
Autoritetet e rendit thanë se kanë konfiskuar makinen dhe ky rast është iniciuar si vrasje në tentativë dhe sulm ndaj personit zyrtar.
Në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, pjesëtarët e Policisë së Kosovës, edhe në të kaluarën kanë qenë objekt i sulmeve të ndryshme.
Incidenti i fundit ndodhi më 23 janar në Bistricë të Leposaviçit, kur dy serbë refuzuan që të ndaleshin në një pikë kontrolli dhe Policia qelloi me armë zjarri drejt makines, duke plagosur një serb.