
Charles McGonigal, ish-zyrtari i FBI-së, i cili është akuzuar nga autoritetet amerikane për lidhjet e tij me oligarkun rus Oleg Deripaska, ka punuar edhe për një tjetër miliarder me origjinë ruse, sipas amerikanes “The Post“.
Gazeta e njohur e Nju Jorkut shkruan se “Aman Resorts”, një rrjet hotelesh me pesë yje në pronësi të Vladislav Doronin, e punësoi McGonigal në pranverën e vitit 2022 për një punë me pagesë të lartë si drejtor i sigurisë për 34 lokacionet e Amanit në mbarë botën.
Burimet thanë se kur McGonigal u arrestua në Aeroportin JFK të shtunën, ai po kthehej pikërisht nga një udhëtim pune në Sri Lanka, ku Aman operon me një rrjet hotelesh luksoze.
Burimet e Post thanë gjithashtu se McGonigal punoi për Aman nga New York City, aty ku kompania hapi hotelin e saj të parë në gusht në ish-ndërtesën e Crown, duke fituar shpejt reputacionin si hoteli më i shtrenjtë me tarifat e dhomave që fillojnë me 2400 dollarë për një natë.
Një zëdhënës i Aman konfirmoi se kompania e punësoi McGonigal vitin e kaluar.
“Zoti McGonigal u punësua nga Aman Group në vjeshtën e vitit 2022 si kreu global i sigurisë, bazuar në kualifikimet e tij dhe rolin e ngjashëm në industrinë e pasurive të paluajtshme, si dhe për dy dekadat e tij në Byronë Federale të Hetimit”, tha përfaqësuesi i Aman.
Kompania tha gjithashtu se McGonigal nuk po punon më për Aman Group, por nuk bëri të ditur se kur ai u largua nga puna.
Në shtator, Business Insider raportoi se prokurorët federalë po hetonin mbi përfshirjen e McGonigal me oligarkun rus Deripaska, një miliarder i cili ishte sanksionuar nga SHBA dhe dyshohet se i ishte drejtuar McGonigal për të ndikuar në heqjen e sanksioneve.
Të hënën, 54-vjeçari McGonigal u padit për pastrim parash dhe shkelje të ligjit të sanksioneve amerikane. Gjatë qëndrimit të tij në FBI, McGonigal mbikëqyri hetimet e oligarkëve, duke përfshirë Deripaska, i cili u sanksionua nga SHBA për dyshimet se vepronte në emër të qeverisë ruse në sektorin e energjisë.
Qeveria pretendon se Deripaska punësoi McGonigal dhe ish diplomatin për ta hequr atë nga lista e sanksioneve, madje edhe për të hetuar një nga oligarkët e tij rivalë, duke i paguar ata përmes kompanive guaskë.