Një incident ndodhi të martën në Kuvendin e Serbisë, kur deputetët e opozitës u ngritën nga ulëset dhe aktivizuan mjete piroteknike në sallë.
Kjo erdhi pasi deputetët e koalicionit qeverisës miratuan rendin e ditës, të cilin opozita e kundërshtoi.
Deputetët opozitarë iu afruan tavolinës së kryetarit, aktivizuan bomba me tym të kuq dhe të zi dhe shpalosën një pankartë ku shkruhej “Serbia po ngrihet për të rrëzuar regjimin”.
Ekipi i Radios Evropa e Lirë, i pranishëm në vendngjarje, raporton se tymi nga mjetet piroteknike mund të nuhatet edhe në korridoret e kuvendit.
Kryetarja e Parlamentit të Serbisë, Ana Brnabić konfirmoi se tre deputete janë plagosur dhe njëra prej tyre ndodhet në rrezik për jetën në spital, pas kaosit që shpërtheu në Kuvend.
Brnabić tha se tre deputetet e plagosura janë Jasmina Obradović, Jasmina Karanac dhe Sonja Ilić, e cila është tetë muaj shtatzënë.
Qeveria miratoi paraprakisht rendin e ditës me 62 pika, ku përfshihen edhe ndryshimet në Ligjin për Arsimin e Lartë.
Këto të fundit janë kërkesë e studentëve që protestojnë në Serbi, që nga shembja vdekjeprurëse e një strehe në Stacionin Hekurudhor të Novi Sadit, më 1 nëntor të vitit të kaluar./ REL