Personi që sulmoi policin dhe elektriçistët në veri të Kosovës kishte “fabrikë” Bitcoini në shtëpi

18 December 2024, 19:42Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Personi që sulmoi policin dhe elektriçistët në veri
Aparatet për "mining"

Një person është arrestuar sot në veri të Kosovës, pasi që kishte sulmuar zyrtarët policorë dhe ata të KEDS-it teksa po vendosnin njehësoret e energjisë elektrike.

Si pasojë e goditjes me mjet të fortë, njëri nga zyrtarët policorë ka marrë mjekim në spital. Të dyshuarit i cili është arrestuar i është bastisur shtëpia, ku dhe është gjetur sasi e konsiderueshme e mjeteve për prodhimin e kriptovalutave, të cilat janë sekuestruar dhe janë dërguar në terminal doganor.

 “Me datën 18.11.2024 njësitë policore nga Drejtoria Rajonale e Policisë- Mitrovicë Veri, në kuadër të detyrave të rregullta gjersa ishin duke asistuar zyrtarët e Kompanisë Kosovare për Distribuimin e Energjisë Elektrike (KEDS) për vendosjen e njehsorëve të energjisë elektrike në lagjen Kroi i Vitakut janë kanosur nga një banor (R.R.) i lindur më 1986. Pas kërcënimeve te vazhdueshme dhe sulmit ndaj zyrtareve policorë, i dyshuari është arrestuar. Një zyrtar policor  ka pranuar tretmanin mjekësor pasi ishte goditur me mjet të fortë. Mbi dyshime te bazuara dhe te arsyeshme njësitë policore kanë kryer bastisje në shtëpinë e personit ku kanë gjetur një sasi të konsiderueshme të mjeteve për prodhimin e kriptovalutave (RIGA) të cilat janë sekuestruar dhe janë dërguar në terminalin doganor”, thuhet në njoftimin e policisë.

Të gjitha veprimet e ndërmarra i janë paraqitur Prokurorit të rastit, ku pas intervistimit, me aktvendim të prokurorit i dyshuari dërgohet në paraburgim për 48 orë.

Shumë serbë në veri të Kosovës, për arsye se nuk kanë paguar kurrë energjinë elektrike, e kanë shfrytëzuar këtë mundësi për prodhimin e jashtëligjshëm të kriptomonedhave, proces që quhet si “miting” dhe kërkon sasi të konsiderueshme energjie elektrike për t’u kryer.



Video