Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka biseduar në Stamboll me presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, lidhur me luftën mes Izraelit dhe Hamasit, grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, para se kryediplomati amerikan të udhëtonte për në Greqi.
Blinken ka nisur më 6 janar një turne, që përfshin ndalesa edhe në Izrael dhe në Bregun e pushtuar Perëndimor.
Ky është turneu i katërt që Blinken zhvillon që nga nisja e luftës Izrael-Hamas tre muaj më parë, teksa është rritur frika se konflikti mund të përfshijë Lindjen e Mesme.
Mediat greke thonë se në takimin me Mitsotakis, Blinken do të diskutojë për rëndësinë e stabilitetit të rajonit dhe një sërë çështjesh të tjera dypalëshe. Sipas tyre, marrëdhëniet Greqi-SHBA, janë në ditën e tyre më të mirë.