Kryeministri Albin Kurti, thotë se grupi prej 30 personash që ka sulmuar makinën e policisë, ku mbeti një efektiv i vrarë, ka ardhur të luftojë në Kosovë.
Kurti thotë se duan paqe, por do arrihet vetëm nëse ata i dorëzohen policisë, pasi janë të rrethuar në një manastir në Zveçan.
"Kanë ardhur të luftojnë në Kosovë. Ne nuk duam luftë ne duam paqe. Dhe paqja do bëhet kur këta mbi 30 persona ti dorëzohen policisë. Kemi të bëjmë me banda të kontrabandës. Këto janë formacioni profesionistë, ushtarake a policore dhe u takon ekspertëve të vlerësojnë se ça janë këto uniforma", tha Kurti.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në një reagim në Facebook e ka konsideruar një akt terrorist, duke thënë se krimi i organizuar me mbështetje politike, financiare dhe logjistike nga Beogradi zyrtar po sulmon shtetin e Kosovës.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se vrasja në veri është “planifikuar, orkestruar dhe ekzekutuar nga bandat kriminale serbe”.
Përfaqësitë diplomatike në Kosovë kanë dënuar sulmin duke bërë thirrje që autorët të vihen para drejtësisë. Mes tyre edhe Ambasadori i SHBA Jeffrey Hovenier, i cili tha se Policia e Kosovës ka përgjegjësi të plotë dhe legjitime për zbatimin e sundimit të ligjit në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.
Pika e kalimit kufitar në Bërnjak është mbyllur pas kësaj situate, ndërsa forcat e KFOR janë dislokuar në zonë.