
Media greke kanë zbardhur skemën se si grupet kriminale po shfrytëzojnë për prostitucion gratë dhe vajzat ukrainase dhe ruse.
Grupi ishte ngritur para se të shpërthente lufta në Ukrainë. Viktimat josheshin me premtimin e një vendi pune si kamariere në Greqi, sidomos gjatë sezonit turistik dhe më pas shfrytëzoheshin për prostitucion.
Protothema shkruan se gratë dhe vajzat që pranonin me të mbërritur në Greqi mbaheshin mbyllur në apartamente, ku detyroheshin të ushtronin prostitucion disa herë në ditë kundrejt pagesave nga 60 deri në 70 euro.
Policia greke thotë se po heton edhe më tej rastin, ndërsa grupi i ndaluar deri më tani prej 13 vetësh ka në mes të tyre edhe ish-viktima të rrjetit që më pas janë kthyer në shfrytëzuese.