"Nuk duam luftë me Kinën", Sekretari amerikan i Mbrojtjes: Pekini kërkon përparësi të padrejtë ushtarake dhe përfitime ekonomike

9 April 2025, 21:05Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
"Nuk duam luftë me Kinën", Sekretari amerikan i Mbrojtjes:
Sekretari amerikan i Mbrojtjes Pete Hegseth

Shtetet e Bashkuara nuk po kërkojnë "luftë" me Kinën, deklaroi nga Panamaja Sekretari amerikan i Mbrojtjes Pete Hegseth. Në të njëjtën kohë, kreu i Pentagonit paralajmëroi se Uashingtoni duhet "të demonstrojë vendosmëri" përballë "kërcënimeve" të Pekinit.

"Ne nuk kërkojmë luftë me Kinën. Dhe lufta me Kinën sigurisht nuk është e pashmangshme. Ne nuk e kërkojmë atë në asnjë formë. Por së bashku ne duhet ta parandalojmë luftën duke demonstruar vendosmëri dhe forcë përballë kërcënimeve të Kinës në këtë hemisferë", tha Sekretari i Mbrojtjes i SHBA, duke folur në një samit rajonal të sigurisë në Panama.

“Ne duhet të njohim kërcënimin që Kina paraqet për vendet tona, popujt tanë dhe paqen në këtë rajon”, shtoi ai, duke vlerësuar se kompanitë kineze “po shpronësojnë tokën, infrastrukturën kritike në fusha me rëndësi strategjike, si energjia dhe telekomunikacioni”.

Hegseth beson gjithashtu se "ushtria kineze ka një prani tepër të madhe në hemisferën perëndimore", "shfrytëzon objektet ushtarake" si dhe "burimet natyrore dhe territorin për të ushqyer ambiciet e saj ushtarake globale".

Ai iu referua gjithashtu "flotës së peshkimit" të Kinës që "vjedh ushqimin e kombeve dhe popujve tanë" dhe u bëri thirrje vendeve që "të mos kenë asnjë dyshim" se Pekini po vepron në rajon për të përfituar "përparësi të padrejtë ushtarake dhe përfitime ekonomike".

Hegseth përsëriti se administrata e Donald Trump nuk do të lejojë që Kina të fitojë ndikim mbi Kanalin e Panamasë, të cilin presidenti republikan së fundmi kërcënoi se do ta "rimerrte".


Video