Nëna e Alexei Navalny ka thënë se i është treguar trupi i tij, por shtoi se autoritetet ruse po i bënin presion asaj që të lejonte një varrim “të fshehtë”.
Në një video-mesazh, Lyudmila Navalnaya tha se ajo ishte dërguar në një morg të mërkurën mbrëma.
Ajo tha se kishte firmosur një certifikatë vdekjeje, ku thuhet se Navalny ka ndërruar jetë për shkaqe natyrore.
Lyudmila Navalnaya tha se ligji kërkonte që autoritetet të dorëzonin trupin e djalit të saj, por u shpreh se ajo po “shantazhohej” pasi ata refuzuan ta bënin këtë. Ajo deklaroi se autoritetet ruse po vendosnin kushte për varrimin e djalit të saj, duke përfshirë vendin, kohën dhe mënyrën e varrimit të tij.
“Ata duan të më çojnë në periferi të varrezave në një varr të ri dhe të thonë "Këtu është djali juaj", u shpreh ajo.
Navalnaya, e cila udhëtoi për në qytetin Salekhard pas lajmit për vdekjen e djalit të saj në një koloni penale aty pranë, tha gjithashtu se ajo po kërcënohej nga autoritetet.
“Duke më parë në sy, më thonë se nëse nuk jam dakord për një varrim të fshehtë, do të bëjnë diçka me trupin e djalit tim”, u shpreh ajo.
“Hetuesi Voropaev më tha hapur “Koha nuk është në anën tuaj, kufoma po dekompozohet”, vijoi nëna e Navalny.
Alexei Navalny vdiq në një koloni burgu më 16 shkurt.