Dhjetëra mijëra besimtarë dhe turistë janë dyndur në Vatikan për t’i bërë nderimet e fundit ish-Papa Benediktit XVI, i cili u nda nga jeta natën e Vitit të Ri në moshën 95-vjeçare.
Një radhë e gjatë u krijua rreth sheshit të Shën Pjetrit në agim. Vatikani njoftoi për rreth 35.000 vizitorë në ditë
Dërgimi i trupit të tij në bazilikën e Shën Pjetrit, kisha më e madhe katolike në botë që mund të strehojë dhjetëra mijëra besimtarë, u bë në orët e para të mëngjesit të së hënës dhe do të kenë mundësi t’i thonë lamtumirë ish-Papës deri të mërkurën.
Papa Françesku do të kryesojë funeralin e së enjtes dhe kjo është hera e parë që një Papë do të varroset nga pasardhësi i tij.
Në varrimin e ish-Papës priten rreth 60.000 vetë, mes tyre edhe kardinalë dhe krerë shtetesh. Edhe presidenti gjerman, Frank-Walter Steinmeier ka bërë të ditur pjesëmarrjen në ceremoninë e varrimit në Romë.
Ish-Papa Benedikti XVI u shua më 31 dhjetor 2022 në banesën e tij në Vatikan në moshën 95-vjeçare.
Në shkurt 2013, Benedikti XVI tronditi botën, duke u bërë papa i parë që nga viti 1415 që dha dorëheqjen nga ky rol, për arsye shëndetësore.
Më pas ai u bë i njohur me me një titull të ri, ’emeritus’, që do të thotë pensionist në anglisht.