Ish-kryeministri bullgar Boyko Borisov, i cili u arrestua nga policia të enjten për shantazh, është lënë i lirë të nesërmen.
Bashkë me Borisovin janë liruar edhe dy pjesëtarë të tjerë të qeverisë së mëparshme. Boyko Borisov u arrestua me urdhër të Zyrës së Prokurorit Publik Europian, drejtuar nga ish-prokurorja rumune kundër korrupsionit, Laura Codruta Kovesi.
Fillimisht u raportua se është arrestuar në lidhje me 120 raste shpërdorimi të fondeve të BE. Bashkë me të u arrestuan ish-ministri i financave Vladislav Goranov, ish-zëdhënësja e qeverisë Sevdalina Arnaudova, dhe ish-kryetarja e Komisionit Parlamentar të Buxhetit dhe Financave, Menda Stoyanova.
Borisov është zyrtari i parë i lartë që arrestohet nga institucioni i prokurorisë së BE, i cili u themelua në qershor të vitit të shkuar.