Kush është terroristi shqiptar në ShBA që rekrutonte ekstremistë dhe siguronte armë për ISIS

26 May 2022, 18:06Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Kush është terroristi shqiptar në ShBA që rekrutonte
FOTO ILUSTRUESE, ISIS

Një shqiptar i Kosovës është shpallur fajtor për terrorizëm nga një gjykatë federale në Brooklyn të ShBA-së, pasi akuzohet për pjesëmarrje në grupin Shteti Islamik i Irakut dhe Sirisë (ISIS), rekrutimin e luftëtarëve për ISIS-in dhe sigurimin e armëve, pajisjeve dhe kryerjen e shërbimeve të zbulimit për grupin terrorist.

Bëhet fjalë për 40-vjeçarin Mirsad Kandiçin nga Peja, i cili kishte emigruar në Shtetet e Bashkuara dhe kishte leje qëndrimi. Vendimi për të pritet të shpallet në nëntor të këtij viti dhe Kandiçi pritet të dënohet me burgim të përjetshëm.

Nga provat e paraqitura nga gjykatat, shqiptari kishte shumë përgjegjësi brenda ISIS-it, përfshirë rekrutimin e luftëtarëve të huaj, trafikimin e tyre nga perëndimi përmes Turqisë në Siri, dhe sigurimin e armëve, pajisjeve ushtarake, hartave, parave dhe identiteteve të rreme për luftëtarët e ISIS-it.

Sipas rrëfimeve të 36 dëshmitarëve dhe provave të paraqitura në gjykatë Mirsad Kandiç kishte provuar të largohej nga Shtetet e Bashkuara për në Lindjen e Mesme që në verën e viti 2012. Por, meqë dy herë radhazi nuk ishte lejuar të fluturonte atëherë nga fundi i vitit 2013 kishte udhëtuar për në Meksikë dhe prej andej për në Panama, Brazil, Portugali, Gjermani, Kosovë dhe Turqi për të arritur me në fund në Siri, ku u ishte bashkuar luftimeve të ISIS-it në periferi të Aleppos.

Udhëheqja e ISIS-it më pas e kishte dërguar Mirsad Kandiçin në Turqi për të marrë rolin e kontrabanduesit të luftëtarëve dhe armëve dhe për të shërbyer si emir për mediat e grupit.

Zyrtarët thonë se Mirsad Kandiç është përgjegjës për rekrutimin e mijëra perëndimorëve për të luftuar në Siri dhe Lindjen e Mesme, përfshirë edhe adoleshentin australian Jake Bilardi, një sulmues vetëvrasës që hodhi vetën në erë dhe vrau më shumë se 30 ushtarë irakianë dhe një polic në Ramadi të Irakut më 11 mars të vitit 2015.

Mirsad Kandiç, është arrestuar në gusht të vitit 2017 në Sarajevë, kryeqytetin e Bosnjës, ku sipas agjencive të sigurisë kishte hyre më një pasaportë të falsifikuar ukrainase.


Video