Një miliarder rus është bërë biznesmeni i fundit i kriptomonedhave që ka humbur jetën në rrethana misterioze pasi helikopteri i tij u rrëzua pranë qytetit turistik të Villefranche-sur-Mer pasi u ngrit nga Lozana në Zvicër.
Rrëzimi i helikopterit është e sigurt që nuk ka ardhur si pasojë e kushteve atmosferike, pasi moti ka qenë shumë i mirë.
Sipërmarrësi Vyacheslav Taran, 53 vjeç, është sipërmarrësi i tretë i kriptomonedhës që vdes papritur në javët e fundit.
Vdekja e 53-vjeçarit Taran, është një ngjarje e mbështjellë me mister, jo vetëm për arsyet e përplasjes së helikopterit, por edhe për faktin që një nga pasagjerët i cili do të udhëtonte e anuloi pjesëmarrjen e tij në momentin e fundit.
Kujtojmë se Tiantian Kullander, 30 vjeç, vdiq ‘në gjumë’ javën e kaluar, ndërsa shoku i tij kripto-milioneri Nikolai Mushegian, 29 vjeç, u mbyt në një plazh të Puerto Rikos pasi postoi në Twitter se kishte frikë se CIA dhe Mossad do ta vrisnin.
Taran, bashkëthemeluesi i platformës së investimit Libertex dhe Forex Club, po fluturonte nga Lozana me një pilot me përvojë në një helikopter H130 me një motor, kur u rrëzua rreth orës 13:00 më 25 nëntor.
Edhe piloti francez 35 vjeç vdiq në këtë aksident tragjik. Zëvendësprokurori publik i Nisës, i cili ka vizituar vendin e ngjarjes, ka thënë se nuk mund të përjashtohet faji i një personi të tretë.