Izraeli si “një super-Spartë”, ëndrra autarkike e Netanyahut që ka shkaktuar polemika

17 September 2025, 22:47Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Izraeli si “një super-Spartë”, ëndrra autarkike e
Netanyahu

Nga Enrico Franceschini, La Repubblica

Kryeministri e përdori krahasimin për t'iu përgjigjur atyre që kanë frikë se shteti hebre do të jetë gjithnjë e më shumë i izoluar. Kritika erdhën edhe nga sipërmarrësit: Po bëhemi si Koreja e Veriut

“Nuk duam të bëhemi një super-Spartë”, ankohet një lider i opozitës. “Jo Spartë, me këtë ritëm do të bëhemi Koreja e Veriut”, i përgjigjet një tjetër parlamentar. Ndërkohë, bursa bie, shkeli (leku izraelit) humbet vlerë ndaj dollarit, ndërsa sipërmarrësit dhe sindikatat protestojnë.

Fjalët e Benjamin Netanyahut kanë shkaktuar një valë polemikash në Izrael.

“Duhet të kemi një ekonomi më autarkike”, tha kryeministri të hënën, duke diskutuar izolimin në rritje ndërkombëtar të shtetit hebre si pasojë e luftës në Gaza. “Do të jemi Athina dhe një super-Spartë”, shtoi ai, “nuk kemi zgjedhje.” Por shumë në Jeruzalem dhe Tel Aviv thonë se zgjedhje ka, duke e akuzuar atë se po e çon vendin drejt greminës.

Protesta e sipërmarrësve

“Nuk jemi Spartë, qeveria duhet të ndalë këtë luftë dhe të shpallë zgjedhje të parakohshme. Për sa kohë që Netanyahu është në pushtet, po shkojmë drejt një krize të rrezikshme dhe pa precedent”, deklaron Israel Business Forum, një grup prej 200 sipërmarrësish dhe drejtorësh ekzekutivë të kompanive të rëndësishme të sektorit të teknologjisë së lartë, motori kryesor i ekonomisë izraelite.

“Ekonomia jonë po tregon qëndrueshmëri përballë një situate kritike, por kjo nuk mund të zgjasë pafundësisht”, thotë komuniteti i biznesit. “Qeveria duhet të ndryshojë menjëherë drejtimin në interes të qytetarëve, të promovojë urgjentisht përfundimin e luftës më të gjatë në historinë izraelite, të sigurojë lirimin e pengjeve, të shpallë një komision hetimor për 7 tetorin (sulmin e Hamasit në jug të Izraelit dy vite më parë) dhe të caktojë një datë për zgjedhjet në një të ardhme të afërt. Po marshojmë drejt një greminë që rrezikon vetë ekzistencën e Izraelit”.

Reagim i ngjashëm nga Arnon Bar-David, president i Histadrut-it, sindikata më e madhe izraelite.

“Shoqëria jonë është e rraskapitur. Pozicioni ynë në botë është i mjerueshëm. Nuk duam të jemi Spartë. Duam të jetojmë në një vend që krijon të ardhme për fëmijët e vet. Netanyahu po na çon drejt katastrofës. Duhet të angazhohemi për të rritur ekonominë dhe për të garantuar paqen.”

Edhe opozita reagoi

“Të marrësh Spartën si shembull është një krahasim i tmerrshëm. Izolimi i Izraelit nuk është fat, por rezultat i zgjedhjeve të gabuara dhe të dështuara të kryeministrit”, shkruajti në X, Yair Lapid, një nga liderët e opozitës në parlament.

Ndërsa gjenerali Yair Golan, kreu i partisë demokratike, u shpreh: Netanyahu dëshiron luftë të përhershme, është i gatshëm të sakrifikojë kombin, ekonominë dhe marrëdhëniet tona me botën.

“Koreja e Veriut, po bëhemi si ti!”, shtoi deputeti Rem Barak.


Video