Një grup i avancuar hakerësh kinezë që synojnë infrastrukturën kritike të SHBA-së ka qenë aktiv për gjysmë dekade, thanë agjencitë e inteligjencës amerikane dhe aleate në një deklaratë të përbashkët të mërkurën.
Agjencia e Sigurisë Kombëtare e SHBA-së, vëzhguesi kibernetik amerikan CISA, FBI dhe Administrata e Sigurisë së Transportit thanë se grupi i njohur si Volt Typhoon ishte futur në heshtje në rrjetet e aviacionit, hekurudhave, tranzitit masiv, autostradave, detit, tubacioneve, organizatave të ujit dhe kanalizimit.
Asnjë nga organizatat nuk u identifikua me emër, por në deklaratë thuhej se zyrtarët e inteligjencës amerikane kanë vëzhguar hakerët “duke mbajtur akses dhe terren në disa mjedise të viktimave për të paktën pesë vjet”.
Deklarata, e cila u bashkënënshkrua nga agjencitë përkatëse të sigurisë kibernetike të Britanisë, Australisë, Kanadasë dhe Zelandës së Re, është e fundit në një seri paralajmërimesh nga zyrtarët amerikanë në lidhje me Volt Typhoon, një grup që ka shkaktuar alarm të veçantë sepse duket se është i orientuar drejt sabotim dhe jo spiunazh.
Natyra e përhapur e hakimeve ka çuar në një sërë takimesh midis Shtëpisë së Bardhë dhe industrisë private të teknologjisë, duke përfshirë disa kompani telekomunikacioni dhe “cloud”, në të cilat qeveria amerikane kërkoi ndihmë për ndjekjen e aktivitetit.
“Ne jemi jashtëzakonisht të shqetësuar për aktivitetin keqdashës kibernetik nga aktori i sponsorizuar nga shteti i RPK që industria e quan Volt Typhoon”, tha zyrtari i lartë i CISA Eric Goldstein, duke iu referuar Republikës Popullore të Kinës, për Reuters përpara publikimit të deklaratës. “Shumica e viktimave që kemi identifikuar nuk kanë asnjë vlerë legjitime spiunazhi”, shtoi ai.