Yje të famshëm, sportistë profesionistë dhe lojtarë të pasur pokeri uleshin në një tavolinë duke shpresuar të fitonin shumë para në një lojë Texas Hold ’Em. Por ata nuk e dinin se kjo ishte pothuajse e pamundur.
Ata ishin thjesht “peshqit”, viktima të synuara nga mafia në një skemë të sofistikuar pokeri që përfshinte tavolina me rreze X, kamera të fshehta, analizues të fshehur në mbajtëset e çipeve, si dhe syze e lente kontakti që mund të lexonin letrat e tyre.
Në një histori që duket si nga filmi Ocean’s Eleven, prokurorët thonë se këta viktima “të pavetëdijshëm” u mashtruan dhe humbën të paktën 7 milionë dollarë në lojëra pokeri.
Skema, të cilën prokurorët amerikanë e përshkruan si “të ngjashme me një film hollivudian”, u shkatërrua pas një hetimi që çoi në më shumë se 30 arrestime, përfshirë anëtarë të familjeve mafioze La Cosa Nostra, trajnerin e Portland Trail Blazers, Chauncey Billups, dhe ish-lojtarin e NBA-së, Damon Jones.
Operacioni kundër lojërave të paligjshme të fatit
BBC shkruan se lojtari i Miami Heat, Terry Rozier, dhe trajneri i Portland Trail Blazers, Chauncey Billups, u përmendën nga prokurorët federalë në dy aktakuza të ndara të enjten.
Prokurorët thanë se rasti përfshinte katër nga pesë familjet e mëdha të krimit në New York dhe zbuloi një skemë për të joshur viktimat të luanin poker të manipuluar me figura të njohura sportive, për t’u vjedhur miliona dollarë.
Sipas autoriteteve, organizatorët përdornin teknologji të sofistikuara, përfshirë lente kontakti dhe syze speciale që mund të lexonin letrat e shënuara, si dhe një tavolinë me rreze X që zbulonte letrat e kundërshtarëve. Në një deklaratë, NBA njoftoi se Rozier dhe Billups janë pezulluar menjëherë ndërsa liga po shqyrton aktakuzat federale.
“E marrim këtë çështje me seriozitetin më të madh, integriteti i lojës sonë mbetet përparësia jonë kryesore,” thuhej në deklaratë, citon BBC.
Avokati i Rozier-it i mohoi akuzat për CBS News, duke thënë: “Terry nuk është lojtar bastesh, por nuk ka frikë nga përballjet dhe është gati ta fitojë këtë betejë.”
Ai u paraqit të enjten në gjykatën federale në Orlando, Florida, dhe u lirua me kusht pasi vuri shtëpinë e tij në Florida, me vlerë 6 milionë dollar, si garanci.
Billups u arrestua në Portland, Oregon, dhe u paraqit në gjykatë të enjten. Ai pritet të përgatisë një shumë të konsiderueshme për lirimin me kusht.
Drejtori i FBI-së, Kash Patel, mbajti një konferencë shtypi në Brooklyn, New York, ku njoftoi të dy aktakuzat. Ai i quajti arrestimet “të jashtëzakonshme” dhe tha se kishte pasur një “aksion të koordinuar në 11 shtete.”
“Po flasim për dhjetëra miliona dollarë mashtrime, vjedhje dhe grabitje gjatë një hetimi shumëvjeçar,” tha ai.
Prokurori federal i Qarkut Lindor të New York-ut, Joseph Nocella Jr, tha se të pandehurit janë të pafajshëm derisa të provohet e kundërta, por paralajmëroi: “Seria juaj e fitoreve ka përfunduar. Fati juaj ka mbaruar.”
Lojërat e NBA-së nën hetim
Prokurorët thanë se rasti i parë përfshinte lojtarë dhe bashkëpunëtorë që kishin përdorur informacione jo publike për të manipuluar bastet në platformat kryesore të lojërave të fatit.

Nocella e quajti këtë “një nga skemat më të pacipa të korrupsionit sportiv që nga legalizimi i gjerë i basteve online.”
Shtatë ndeshje të NBA-së mes shkurtit 2023 dhe marsit 2024 janë identifikuar si pjesë e rastit.
Rozier thuhet se ishte përfshirë në një ndeshje mes dy ekipeve Charlotte Hornets dhe New Orleans Pelicans, kur luante për Hornets.
Sipas akuzës, Rozier i kishte thënë një miku se do të linte ndeshjen herët për shkak të një lëndimi, dhe më pas miku i tij dhe bashkëpunëtorët vendosën ose udhëzuan të tjerë të vendosnin mbi 200 mijë dollarë baste që Rozier do të performonte nën pritshmëritë.
Ai e la ndeshjen pas nëntë minutash, duke sjellë dhjetëra mijëra dollarë fitime për bastvënësit, thanë prokurorët.
Sipas raportit zyrtar të NBA-së, Rozier luajti rreth nëntë minuta dhe shënoi vetëm pesë pikë, duke raportuar dhimbje në këmbën e djathtë. Para kësaj ndeshjeje, ai mesatarisht luante 35 minuta dhe shënonte rreth 21 pikë për ndeshje.
“Ndërsa sezoni i NBA-së sapo ka nisur, karriera e tij tashmë është në stol, jo për shkak të një lëndimi, por për shkak të integritetit,” tha komisionerja e policisë së New York-ut, Jessica Tisch.
Avokati i Rozier-it, James Trusty, tha në një deklaratë se prokurorët “po mbështeten te burime spektakolare të pabesueshme në vend që të përdorin prova reale për shkelje.”
“Terry ishte pastruar nga NBA dhe këta prokurorë po ringjallin një çështje që nuk ekziston,” shtoi ai.
Edhe ish-lojtari i NBA-së Damon Jones u arrestua si pjesë e hetimit. Ai dyshohet se ishte përfshirë në dy nga ndeshjet e identifikuara, një mes Los Angeles Lakers dhe Milwaukee Bucks në shkurt 2023, dhe një tjetër në janar 2024 mes Lakers dhe Oklahoma City Thunder.
Nga viti 1992 deri në 2018, bastet sportive ishin të ndaluara në pjesën më të madhe të SHBA-ve, derisa Gjykata e Lartë ia la rregullimin shteteve individuale.
Që nga ajo kohë, bastet sportive kanë shpërthyer në përmasa gjigante, me liga sportive dhe kompani mediatike që bëjnë marrëveshje me firmat e basteve për t’u bërë pjesë e industrisë miliarda-dollarëshe.
Poker i manipuluar dhe mafia
Aktakuza e dytë, e shpallur po të enjten, përfshin 31 të pandehur të akuzuar për pjesëmarrje në një skemë për të manipuluar lojëra të paligjshme pokeri dhe për të vjedhur miliona dollarë. Rasti përfshinte 13 anëtarë dhe bashkëpunëtorë të familjeve mafioze Bonanno, Genovese dhe Gambino në New York.
Nocella tha se viktimat ishin joshur të luanin me ish-sportistë profesionistë, përfshirë Billups dhe Jones, në Las Vegas, Miami, Manhattan dhe Hamptons.
Viktimat humbnin dhjetëra apo qindra mijëra dollarë për lojë, ndërsa të akuzuarit përdornin makina përzierjeje të modifikuara, syze dhe lente speciale për të lexuar letrat, dhe tavolina me rreze X për të parë letrat e kundërshtarëve.
“Çfarë nuk dinin viktimat ishte se të gjithë pjesëmarrësit në tavolinë, nga shpërndarësi te lojtarët, ishin pjesë e mashtrimit,” tha Nocella.
Tisch shtoi se, kur njerëzit refuzonin të paguanin, familjet e krimit të organizuar përdornin kërcënime dhe frikësime për të marrë paratë.
Akuzat përfshijnë grabitje, zhvatje, mashtrim financiar, mashtrim bankar dhe lojëra të paligjshme fati. Ky konspiracion dyshohet se u mori viktimave 7 milionë dollarë, me njërin prej tyre që humbi plot 1.8 milionë dollarë.
“Kjo është vetëm maja e ajsbergut,” tha Christopher Raia, ndihmësdrejtor i FBI-së për New York-un, duke shtuar se FBI “po punon ditë e natë për të siguruar që anëtarët e familjeve mafioze të mos vazhdojnë të mbjellin terror në komunitetet tona.”
Si funksiononte skema
Duke u tunduar nga ideja për të luajtur me një të famshëm, si Billups apo Jones, viktima “pa dijeni” ftohej në lojëra të paligjshme pokeri nëntokësore, ku vinin në lojë dhjetëra mijëra dollarë, sipas prokurorëve.
Sipas aktakuzës federale, lojtarët që joshnin viktimat, të quajtur “peshq”, ishin të rrethuar nga persona që ishin të gjithë pjesë e mashtrimit: lojtarët, shpërndarësit, madje edhe teknologjia që përziente letrat dhe numëronte çipet. Personat që e kontrollonin lojën u jepnin sinjale të fshehta te bashkëpunëtorët e tyre, duke vjedhur para dhe duke e bërë të pamundur që viktimat të fitonin. Autoritetet vlerësojnë se çdo lojë i kushtonte një viktime dhjetëra apo qindra mijëra dollarë.
Prokurorët thonë se të akuzuarit pastronin paratë e fituara nga skema përmes kriptovalutave, këmbimeve në para të gatshme dhe kompanive fantazmë. Një pjesë e fitimeve shkonte për bashkëpunëtorët, ndërsa një pjesë tjetër financonte aktivitetet e mafias italiane.