Forumi famëkeq i internetit "4chan" është hakuar këtë të martë.
Faqja e internetit e "4chan" aktualisht nuk arrin të ngarkohet dhe përdoruesit në mediat sociale raportojnë se faqja funksiononte me ndërprerje për orë të tëra.
Përdoruesit në një forum rival, shprehën gëzimin për sulmin ndaj "4chan" teksa një person që pretendonte se ishte hakeri përgjegjës për thyerjen, tha se ishte brenda sistemit të "4chan" "për më shumë se një vit".
Disa pamje të publikuara në internet tregojnë atë që pretendohet të jetë databaza e "4chan", kodi source të cilat ishin ishin të arritshme më parë vetëm për moderatorët e faqes. Gjithashtu në të dhënat e rrjedhura ishte një listë e moderatorëve dhe "pastruesve" të supozuar të "4chan", të cilët janë përdorues që mund të fshijnë postimet dhe temat, por kanë më pak privilegje se moderatorët, të cilët gjithashtu mund të shohin adresat IP të përdoruesve.
Duke pasur parasysh lidhjet e njohura politike të dhunshme të "4chan", ky sulm kibernetik mund të ekspozojë potencialisht njerëzit që drejtojnë këto forume, të cilat janë bërë qendrore për lëvizjet e ekstremit të djathtë.
Faqja TechCrunch kontaktoi disa adresa emaili që u zbuluan nga hakimi dhe foli me një nga personat që fshiheshin pas njërës prej adresave të emailit. Një "pastrues" i "4chan", i cili foli me TechCrunch me kusht anonimiteti, tha se është "i bindur" se të dhënat dhe pamjet e ekranit të zbuluara janë "të gjitha të vërteta".
"Nuk kam arsye të besoj ndryshe," tha ai.
"Jam disi i tërhequr. Ekipi i moderimit të 4chan ka pasur rrjedhje informacioni në të kaluarën, por ky është padyshim një problem me përmasa më të mëdha," tha ai për TechCrunch. "Nuk jam i kënaqur me situatën. Jam i sigurt se as shumica e të tjerëve nuk janë. Por shumë prej nesh e kanë bërë këtë për një kohë të gjatë. Doxxing është një hobi në "4chan" dhe mundësia që ne të ekspozohemi ka qenë gjithmonë aty."
"Kam qenë më i shqetësuar për informacionin e zbuluar, për arsye të dukshme," tha ai. “Do të vija bast se fakti që "4chan" u mor në kontroll nga një haker (hakerë) është ndoshta ‘më i keq’ sesa pamjet e publikuara, të paktën nga perspektiva e funksionimit të vazhdueshëm të faqes.”
Ai tha gjithashtu se duket se hakeri ka marrë informacionin personal të abonentëve të "4chan Pass", të cilët janë përdorues që paguajnë faqen për të anashkaluar kontrollet e postimeve dhe për të hyrë në një tabelë VIP.
4chan është një forum në internet në dukje anonim që funksionon si pjesa e errët e internetit. Shumicën e kohës, është një forum imazhesh që duket se frekuentohet nga përdorues që përpiqen të shokojnë njëri-tjetrin shpesh duke postuar disa nga përmbajtjet më të ulëta të imagjinueshme. Herë të tjera, eksportet kulturore të "4chan" depërtojnë në botën reale si meme të padëmshme ose si retorikë urrejtjeje që frymëzon terrorizmin e krahut të djathtë.
Meme-t si Pepe the Frog u popullarizuan fillimisht në "4chan", por janë bërë të kudondodhura në të gjithë internetin. Megjithatë, trashëgimia më e fortë e "4chan" vjen nga bordet e tij politike, ku retorika e ekstremit të djathtë mund t'i radikalizojë përdoruesit e rinj. QAnon, një grup teoricienësh konspiracioni të ekstremit të djathtë që mbështesin Presidentin Donald Trump, e ka origjinën nga "4chan".
Vrasësi që në vitin 2019 vrau 51 persona në dy xhami në Christchurch, Zelanda e Re, kishte qenë një përdorues i rregullt i "4chan" që kur ishte adoleshent. Në vitin 2022, një person atëherë 18-vjeçar vrau 10 persona me ngjyrë në një dyqan ushqimor në Buffalo, New York; manifesti i tij prej 180 faqesh u huazua nga retorika online e vrasësit të Christchurch.