Gazetari i Wall Street Journal, Evan Gershkovich do të qëndrojë i burgosur për akuzat për spiunazh të paktën deri në fund të qershorit, pasi një gjykatë në Moskë hodhi poshtë të martën apelin e tij që kërkonte lirinë.
Shtetasi amerikan 32-vjeçar u ndalua në fund të marsit 2023 ndërsa ishte në një udhëtim raportimi dhe ka kaluar mbi një vit pas hekurave. Muajin e kaluar, avokatët e tij mbrojtës e apeluan vendimin që u refuzua këtë të martë nga Gjykata e Apelit në Moskë.
Arrestimi i tij në qytetin e Yekaterinburg tronditi gazetarët në Rusi, teksa autoritetet nuk kanë detajuar se çfarë provash kanë për të mbështetur akuzat për spiunazh.
Gershkovich dhe punëdhënësi i tij i kanë mohuar akuzat dhe qeveria amerikane e ka shpallur atë si person të ndaluar gabimisht.
Analistët kanë vënë në dukje se Moska mund të përdorë amerikanët e burgosur si mjete shkëmbimi për të kërkuar lirimin e shtetasve rusë të burgosur në Perëndim.
Të paktën dy shtetas amerikanë të arrestuar në Rusi vitet e fundit, përfshirë yllin e WNBA-së, Brittney Griner, janë shkëmbyer me rusë të burgosur në SHBA.