Fitorja e Giorgia Meloni, lideres së partisë Vëllezërit e Italisë, e bën atë favorite për të udhëhequr koalicionin e krahut të djathtë të formuar nga partia e saj, “Liga” e ekstremit të djathtë dhe “Forca e Itaisë” e qendrës së djathtë e Silvio Berlusconit.
Qeveria e re do të përballet me një listë të gjatë sfidash si rritja e çmimit të energjisë, lufta në Ukrainë dhe ngadalësimi i ekonomisë italiane.
“Të ngopur me dështimet e partive të establishmentit, tashmë votuesit po i drejtohen të paprovuarve”, shkruan The Economist .
Megjithatë, kjo qeveri e re do të duhet të përballet me një sërë vështirësish për të zbatuar një program që sjell ndër të tjera një kosto të madhe ekonomike në një vend me borxh publik në nivele rekord.
Përplasje me presidentin italian dhe Gjykatën Kushtetuese

Ajo që do të ishte kryeministrja e parë femër në historinë e Republikës Italiane, arriti fitoren falë fjalimeve në të cilat sulmonte emigrantët e parregullt dhe në të cilat bënte thirrje për të mbrojtur "identitetin italian".
Por realiteti është se pushteti në Itali është i kufizuar në shumë mënyra, sidomos për shkak të roleve që ka presidenti Sergio Mattarella, dhe presidentja e sapozgjedhur e Gjykatës Kushtetuese, Silvana Sciarra, të dy të njohur si centristë të patëmetë, siç kujton The Economist .
Një nga pengesat kryesore që do t'i duhet të kapërcejë do të jetë zgjedhja e ministrave. Çdo vendim për anëtarët e këshillit të ministrave duhet të miratohet nga Presidenti i Republikës, i cili është një kockë e fortë. Nuk do të ishte hera e parë që një kandidat rrëzohet.
Po kështu, Gjykata Kushtetuese mund të rrëzojë ligjet që i konsideron në kundërshtim me Kushtetutën. Megjithatë, pavarësisht frikës së ngritur nga mbrojtja e vlerave familjare dhe katolike nga e djathta ekstreme, nuk priten ndryshime të mëdha në nivel legjislativ për çështjet sociale.
Për çështjen e abortit, për shembull, asgjë nuk tregon se ai do të preket , të paktën përsa i përket mbulimit ligjor, megjithëse zbatimi i tij mund të vështirësohet. Meloni e bëri të qartë se nuk ka në plan të shfuqizojë ligjin që lejon abortin, i cili ka qenë në fuqi që nga viti 1978 dhe gëzon mbështetje të fortë. Një përpjekje për ta shfuqizuar atë u refuzua në një referendum në 1981 nga gati 70% e votuesve.
E njëjta gjë vlen edhe për të drejtat e homoseksualëve. Bashkimet civile homoseksuale janë lejuar që nga viti 2016 dhe, megjithëse nuk ka konsensus në favor të martesës së homoseksualëve, nuk ka as urgjencë për të mos i lejuar ato. Ndërkohë, për sa i përket lindjeve, ajo mund të përpiqet të nisë një paketë ndihme për familjet me fëmijë, por borxhi i lartë publik i Italisë nuk lë shumë hapësirë .

Ajo që pritet është një ofensivë kundër migracionit të paligjshëm.
Megjithatë, kur Matteo Salvini ishte në qeveri për herë të fundit, midis 2018 dhe 2019, ai premtoi të njëjtën gjë, por doli kundër ligjit ndërkombëtar dhe rregullave të Bashkimit Evropian, të cilat vendosin kufizime për atë që mund të bëhet.
Duhet të kihet parasysh se ligji evropian është mbi ligjin kombëtar, kështu që Gjykata e BE-së mund të rrëzojë çdo masë që e konsideron në kundërshtim me të drejtën e komunitetit.
Marrëveshjet dhe marrëdhëniet me BE-në
"Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orbán, është një aleat shumë i rëndësishëm për Melonin, jo vetëm ideologjikisht, por edhe për shkak të vlerave ultra-konservatore që ata mbrojnë. Në nivel evropian, ky mund të jetë një pol interesant diskutimi me BE", shpjegon për BBC, analisti politik Franco Delle Donne, krijuesi i podcast-it "Epidemia Ultra".

“Kjo mund të krijojë një lloj kundërshtimi të brendshëm brenda BE-së, por në të njëjtën kohë do të kushtëzohet nga të gjitha fondet që merr Italia, veçanërisht nëse merret parasysh sanksionet që Hungaria do të marrë nëse nuk mban të njëjtën linjë me BE”, shton eksperti.
Sipas tij, kjo do të jetë një nga sfidat kryesore të qeverisë së re, "aq më tepër që ajo premtoi shumë gjëra që kushtojnë shumë" dhe shumë shpejt do të përpiqet ta devijojë diskursin politik drejt çështjeve të tjera që nuk janë çështje ekonomike.
Në çështjet fiskale, partitë që do të përbëjnë qeverinë e re italiane kanë propozuar uljen e taksave. Meloni do të kërkojë të ndryshojë disa nga reformat që ish-kryeministri Mario Draghi prezantoi në një përpjekje për të nxitur rritjen në një vend të rënduar nga problemet strukturore, kulturore dhe demografike.
Nëse qeveria e re lehtëson disiplinën fiskale dhe bën rishikime të rëndësishme në axhendën e reformave të rëna dakord nga qeveria e mëparshme, ajo mund të vërë në rrezik projektin 200 miliardë euro (192.3 miliardë dollarë) nga fondet evropiane të rimëkëmbjes të rënë dakord nga pandemia e covid. Për të marrë këstin e ardhshëm të fondeve në dhjetor, Roma duhet të përmbushë 55 objektiva të rinj.
“Edhe një qeveri e krahut të djathtë nuk do të donte të shqetësonte Brukselin, nga paratë e të cilit varet në shumë fusha”, tha eksperti i Commerzbank Jörg Krämer për gazetën gjermane Der Spiegel.
Draghi, i cili ishte president i Bankës Qendrore Evropiane në kulmin e krizës financiare të Evropës një dekadë më parë, i ka rezistuar vazhdimisht presionit politik për të zgjeruar deficitin buxhetor. Dhe kjo mund të jetë një nga dilemat e para me të cilën duhet të përballet qeveria e Melonit.
Testi i tij i parë do të jetë buxheti fiskal, i cili duhet të miratohet në një kalendar të ngjeshur në vjeshtë. Bankierët kanë frikë se qeveria e re do të humbasë kontrollin e borxhit të lartë të Italisë (2.7 miliardë dollarë, ose më shumë se 150% e Prodhimit të Brendshëm Bruto).
Po kështu, blloku i krahut të djathtë ka kundërshtuar gjithashtu reformimin e një sistemi taksash të vjetëruar dhe liberalizimin e konkurrencës, dy reforma kyçe të premtuara nga Draghi për t'u kualifikuar për fondet e BE-së.
Mbështetje e madhe nga italianët për BE-në dhe euron

Pavarësisht ët gjithave, BE gëzon mbështetje të madhe tek populli italian.
“Në fazat e fundit të fushatës, ajo u përpoq të ishte pak më e moderuar, në aspektin e euroskepticizmit”, thotë Delle Donne.
Është e vërtetë që, ashtu si Salvini, Meloni ka folur në të kaluarën për heqjen e euros apo edhe largimin nga blloku. Por të dy e kanë kuptuar se anëtarësimi në BE është popullor në Itali, ku 71% e popullsisë mbështet euron .
"Italia tani është pjesë e këtij blloku të madh që është BE dhe e marrëveshjeve ndërkombëtare që nuk mund të rinegociohen thjesht brenda natës”, tha për Reuters Davide Angelucci, një analist politik në Universitetin Luiss të Italisë.
"Ne gjithashtu duhet të jemi si shtet brenda institucioneve si BE-ja për shkak të problemeve strukturore që kemi. Le të mendojmë për borxhin publik të këtij vendi dhe të gjitha dobësitë e elementëve strukturorë të ekonomisë sonë. Ne kemi nevojë për BE-në, aq sa BE-ja ka nevojë për Italinë”, shtoi ai.
Si rezultat, qeveria e re do të jetë e kufizuar .
Problemi rus

Ndryshe nga Salvini dhe Berlusconi, apo edhe Le Pen dhe Orban, Meloni nuk është mbështetëse e presidentit rus Vladimir Putin. Që nga pushtimi i Ukrainës, ajo ka qenë një zë i fortë në mbështetje të Ukrainës dhe NATO-s.
“Çështja e Putinit dhe Rusisë është interesante, sepse kjo është një kontradiktë që ekziston në shumë formacione të krahut të djathtë radikal, veçanërisht në Evropën Perëndimore ”, shpjegon Delle Donne.
Sipas Delle Donne, një nga problemet e Melonit do të jetë përballja me qëndrimin pro-rus të politikanëve si Orbán. Shfaqja kundër Putinit do ta vendoste atë kundër disa aleatëve shumë të rëndësishëm në nivel evropian.
Këtë problem do t'i duhet ta zgjidh edhe brenda koalicionit së saj
Zgjidhja do të vijë përmes aftësisë së saj për të ndërtuar një axhendë. “Ne do të shohim nëse ajo është në gjendje të bëjë që opinioni publik italian t'i kushtojë vëmendje çështjeve të tjera që për të djathtën radikale janë më të rëndësishme, si migrimi dhe siguria”.
"Nëse ajo arrin të sjellë këto debate publike rreth kësaj, ajo mund të mos ketë nevojë të mbajë një pozicion për luftën në Ukrainë. Tani, ka një gjë që ajo nuk do të jetë në gjendje ta kontrollojë, dhe nëse inflacioni dhe çmimet e energjisë ngrihen në qiell dhe sanksionet kundër Rusisë shfaqen përsëri, atje do të ketë një komplikim, sepse duhet të vendosë në cilën anë është. Tani për tani, do të ishte në anën e Perëndimit dhe kundër Rusisë, por do të duhet të zgjedhë dhe aty mund të zhgënjejë shumë njerëz mes votuesve të saj”, thekson Delle Donne./VoxNews