Producenti francez Nicolas Altmayer, bashkëthemelues i kompanisë së suksesshme të prodhimit “Mandarin & Compagnie”, dhe bashkëshortja e tij, Mathilde Favier një drejtuese me përvojë e gjatë te “Dior” humbën jetën në një aksident automobilistik në Francë më 17 gusht, në moshën 61 dhe 56 vjeç.
Aksidenti ndodhi të hënën në rajonin Deux-Sèvres, në Francën perëndimore. Sipas prokurorisë së Niort-it, makina e tyre u përplas me një automjet të rëndë transporti që po lëvizte në drejtim të kundërt.
Vdekja e tyre ka tronditur industrinë franceze të filmit dhe të modës.
Altmayer e themeloi “Mandarin & Compagnie” (e njohur më parë si “Mandarin Production”) së bashku me vëllain e tij, Eric Altmayer, në vitin 1996. Që atëherë, kompania ka prodhuar më shumë se 70 filma artistikë.
Ndër veprat më të njohura të Altmayer-it përfshihen komedia e suksesshme e James Huth, “Brice De Nice”; filmat “OSS 117” të Michel Hazanavicius; “Chocolat” i Roschdy Zem; si dhe “The First Day Of the Rest Of Your Life” i Rémi Bezançon.
Ai gjithashtu prodhoi disa filma të regjisorit François Ozon, përfshirë “Young & Beautiful” dhe “By The Grace Of God”, si dhe filmin “Saint Laurent” të Bertrand Bonello-s.
“Mandarin & Compagnie” vazhdoi bashkëpunimin me Bonellon për thrillerin dramatik të ardhshëm “Santo Subito!” ngjarjet e të cilit zhvillohen në Vatikan me protagonistë Mark Ruffalo dhe Charlotte Rampling.
Ndër projektet më të fundit përfshihen suksesi i arkëtimeve “Molière, Cyrano And The Young King”; filmi “Nobody’s Son” i Safy Nebbou me protagonist Romain Duris; si dhe filmi biografik “Monsieur Aznavour” i Mehdi Idir.
Në vitin 2017, Nicolas dhe Eric Altmayer morën së bashku çmimin “Daniel Toscan du Plantier” nga Akademia “César” e Francës, i cili vlerëson producentin e vitit.
Favier ishte drejtuese e marrëdhënieve me publikun (PR) në grupin LVMH dhe një drejtuese me përvojë e gjatë te “Dior Couture”. Ajo konsiderohej si një nga figurat më të respektuara dhe me rrjetin më të gjerë të kontakteve në industrinë e modës.