Gjyqi që ka tronditur Amerikën: Nëna akuzohet për vdekjen e tre fëmijëve, por a i vrau vërtet ajo?

18 August 2026, 18:35Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Gjyqi që ka tronditur Amerikën: Nëna akuzohet për vdekjen e
Lindsay Clancy

Një nga gjyqet më të ndjekura në SHBA po zhvillohet këto ditë në Massachusetts. Lindsay Clancy, 36 vjeçe, po gjykohet për vdekjen e tre fëmijëve të saj të vegjël, në një çështje që ka hapur një debat të fortë në Amerikë mbi shëndetin mendor pas lindjes dhe përgjegjësinë penale.

Clancy akuzohet për vrasjen e vajzës së saj Cora, 5 vjeç, djalit Dawson, 3 vjeç dhe foshnjës Callan, 8 muajsh, në shtëpinë e familjes në Duxbury, Massachusetts, në janar 2023.

Ajo është deklaruar e pafajshme për shkak të gjendjes së saj mendore.

Çështja ka hyrë tashmë në javën e katërt të dëshmive dhe rreth 70 persona kanë dalë para jurisë. Prokuroria po përpiqet të argumentojë se Clancy veproi me vetëdije dhe se ngjarja ishte e menduar më parë. Në anën tjetër, mbrojtja thotë se ajo ndodhej në një gjendje të rëndë psikoze pas lindjes, të lidhur edhe me probleme të tjera të shëndetit mendor dhe trajtimin me medikamente.

Një pjesë e rëndësishme e gjyqit kanë qenë të dhënat nga telefoni i Clancy-t. Hetuesit kanë paraqitur kërkime të kryera në internet në ditët para tragjedisë, ndërsa prokuroria i përdor ato si argument se ajo ishte e vetëdijshme për gjendjen e saj dhe po mendonte për atë që do të ndodhte. Mbrojtja, ndërkohë, i interpreton këto të dhëna si shenja të një gjendjeje të rënduar psikike dhe të përpjekjeve të saj për të kuptuar se çfarë po i ndodhte.

Në sallën e gjyqit është rikthyer vazhdimisht edhe historia e trajtimit të saj psikologjik. Mbrojtja pretendon se Clancy kishte kërkuar ndihmë disa herë dhe se gjendja e saj ishte përkeqësuar pavarësisht trajtimeve. Një nga psikiatret që e kishte trajtuar ka dëshmuar se nuk kishte konstatuar shenja psikoze gjatë vizitës së fundit me të.

Prokurorët kanë një tjetër version. Ata argumentojnë se sjellja e Clancy-t para ngjarjes tregon organizim dhe qëllim të qartë, ndërsa mbrojtja këmbëngul se një person mund të duket i organizuar edhe gjatë një episodi të rëndë psikoze. Pikërisht kjo është një nga dilemat kryesore që juria duhet të shqyrtojë.

Gjyqi ka marrë vëmendje të madhe edhe për shkak të historisë së familjes. Ish bashkëshorti i Clancy-t, Patrick, ka dëshmuar në sallën e gjyqit dhe ka folur për ndryshimet që kishte vënë re tek ajo para tragjedisë.

Ky nuk është thjesht një gjyq për një tragjedi familjare. Në qendër të tij është një pyetje që ka ndezur debat në të gjithë SHBA-në: ku përfundon përgjegjësia penale dhe ku fillon një sëmundje e rëndë mendore që mund të ndryshojë mënyrën se si një person percepton realitetin?

Jo pak komentues e kanë drejtuar edhe gishtin nga babai i fëmijëve. Ku ishte ai në momentin e vrasjeve? Pse i la fëmijët vetëm me nënën e sëmurë? A është vërtet ajo vrasësja e fëmijëve apo jemi në një histori të përsëritur ku ish-bashkëshorti, babai i fëmijëve, i cili ka nisur një jetë të re, u merr jetën atyre?

Dilemat në rrjet janë shtuar pas dëshmisë së tij në gjyq, gjuhës së trupit dhe disa mesazheve që ka shkëmbyer pak momente para vdekjes së fëmijëve, me ish gruan.

Gjyqi vijon edhe sot.


Video