Franca dhe Gjermania kërkojnë sa më shpejt zgjedhje të reja në veri të Kosovës

1 Qershor 2023, 19:32Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Vjosa Osmani, Emmanuel Macron dhe Olaf Scholz

Pas takimit me homologen e tij kosovare, Vjosa Osmani, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka thënë se Gjermania dhe Franca u kanë kërkuar Kosovës dhe Serbisë të mbajnë zgjedhje të reja në komunat në veri të Kosovës.

“Franca dhe Gjermania u kërkuan udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë të organizojnë zgjedhje të reja në rajonet e prekura nga trazirat sa më shpejt që të jetë e mundur”, tha Macron, i cili shtoi se u kërkua që të qartësohen edhe rregullat për zgedhje.

Ai tha gjatë javëve të ardhshme do të ketë “vendim të qartë” për situatën në veri të Kosovës dhe se për këtë gjë u pajtuan gjatë takimeve me kancelarin gjerman, Olaf Scholz, dhe liderët lokalë, presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Osmani e konfirmoi se Macron dhe Scholz kërkuan që Kosova të gjejë mënyra për të mbajtur zgjedhje të reja në veri dhe që serbët të marrin pjesë në to.

Presidenti Macron dhe kancelari gjerman Olaf Scholz u takuan me presidenten e Kosovës Vjosa Osmani dhe presidentin serb Aleksandar Vuçiç në kuadër të takimit të Komunitetit Politik Evropian në kryeqytetin e Moldavisë.

Video