Ekuadori përdor kokainën në materialet e ndërtimit

17 February 2023, 22:26Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Ekuadori përdor kokainën në materialet e ndërtimit
Ilustrim

Sasitë e mëdha të drogës të sekuestruara në Ekuador po përdoren tashmë edhe si materiale ndërtimi. Shteti në Amerikën Latine i ka shtuar përpjekjet ndaj grupeve kriminale që e përdorin Ekuadorin si pikë tranziti për trafikun e kokainës në SHBA dhe Europë.

Në vitin 2021, Ekuadori dyfishoi sekuestrimet e drogës, më shumë se 210 tonë, shumica kokainë. Pavarësisht se në vitin 2022 ka një rënie të lehtë të sekuestrimeve, sasitë e drogës janë shumë të mëdha dhe në 27 magazinat e policisë ku ruhet lënda narkotike para asgjesimit nuk ka më vend.

Sasitë gjithashtu tejkalojnë kapacitetin e furrave që zakonisht përdoren për djegie, tha për Reuters Edmundo Mera, nëndrejtor për Kontrollin e Drogës në Ministrinë e Brendshme të Ekuadorit.

Tashmë vendi po përdor një pjesë të kokainës së tepërt në materialet e ndërtimit. Duke përdorur metodën e kapsulimit, e cila mbështetet edhe Zyra e OKB-së për Krimet dhe Drogën, Ekuadori bën pluhur pakot e kokainës në makineritë industriale dhe i përzien ato me materiale të tjera si çimento, rërë dhe ujë duke krijuar platforma betoni.

Qindra pako me hidroklorur kokaine dhe pastë nga bima Koka të sekuestruara në Ekuador, dërgohen çdo javë në një fabrikë mbetjesh në periferi të kryeqytetit Quito. Teknikët thonë se droga zbërthehet bashkë me materiale të tjera si xhamet, medikamente të skaduara dhe madje mbetje vajrash.

Pluhuri që del përzihet me materiale të tjera për të prodhuar beton që përdoret më pas në ndërtim. Sipas OKB-së, materialet që përdoren bëjnë të mundur që kokaina të mos depërtojë në tokë dhe nuk mund të rikuperohet.

Aktualisht me anë të këtij procesi autoritetet po mbushin një gropë 15 metra të thellë në ndërtimin e një magazine, vendndodhja e së cilës nuk tregohet për arsye sigurie. Reuters shkruan se nuk ka plane për ta kapsuluar kokainën në projekte të ardhshme infrastrukturore.

Aktualisht sipas teknikëve, në procesin që po kryhet për magazinën janë përdorur 350 tonë kokainë dhe paste Koke të shtypur.

Duhen vetëm 12 orë për të djegur 1 ton kokainë, por më pak se 3 orë për të kapsuluar të njëjtën sasi. Kjo procedurë po ndihmon policinë që të zbrazë qendrat për mbajtjen e drogës. Aktualisht autoritetet po presin që të kapsulojnë edhe 83 tonë kokainë.

“Procedura është më e lirë, zgjat më pak dhe nuk ndikon në mjedis”, tha Pablo Ramirez, drejtori i Hetimeve Antidrogë në Ekuador


Video