Kryeministri i Skocisë, John Suinney, ka deklaruar se koha për pavarësinë e vendit nga Mbretëria e Bashkuar është gjithnjë e më e afërt. Sipas tij, decentralizimi i pushtetit nga Londra nuk është më i mjaftueshëm dhe Skocia ka nevojë për kompetenca të plota për të vendosur vetë për të ardhmen e saj ekonomike dhe politike.
Suinney, lider i Partisë Kombëtare Skoceze (SNP), e bëri deklaratën gjatë një takimi në Cardiff, ku Skocia, Uellsi dhe Irlanda e Veriut u shfaqën së bashku në kërkesën për më shumë autonomi dhe të drejta nga qeveria britanike.
Një nga argumentet kryesore të Suinneyt lidhet me Brexit-in. Ai kujtoi se në referendumin e vitit 2016, 62% e votuesve në Skoci votuan kundër largimit nga Bashkimi Evropian, ndërsa në nivelin e të gjithë Mbretërisë së Bashkuar rezultati ishte në favor të Brexit-it. Sipas tij, Skocia u largua nga Bashkimi Evropian “kundër vullnetit të saj”.
Kryeministri skocez argumentoi se Brexit ka shkaktuar pasoja ekonomike për vendin, duke përmendur rënien e aktivitetit ekonomik, inflacionin dhe rritjen e kostos së jetesës. Ai tha se shumë kompani skoceze janë detyruar të ndryshojnë aktivitetin ose të heqin dorë nga tregtia me tregjet evropiane, për shkak të pengesave të reja pas Brexit-it.
Suinney kërkoi gjithashtu një afrim më të madh me Bashkimin Evropian. Sipas tij, Skocia ka nevojë për marrëdhënie më të ngushta me vendet evropiane dhe me partnerët ndërkombëtarë. Ai theksoi veçanërisht rëndësinë e lëvizjes së studentëve, studiuesve dhe profesionistëve evropianë, duke argumentuar se kjo do të ndihmonte zhvillimin ekonomik dhe akademik të Skocisë.
Një tjetër çështje që ai e konsideron të rëndësishme është emigracioni. Suinney tha se Skocia ka nevojë për më shumë emigrantë për shkak të strukturës demografike dhe nevojave të tregut të punës. Sipas tij, një politikë më fleksibël migracioni do t’i shërbente ekonomisë skoceze, që vuan nga plakja e popullsisë.
Duke folur për marrëdhëniet me Londrën, Suinney pranoi se ekziston hapësirë për një decentralizim më të madh të pushtetit. Megjithatë, ai argumentoi se kjo nuk do të ishte e mjaftueshme. Sipas tij, Skocia ka nevojë për më shumë fleksibilitet, veçanërisht në fushën fiskale, në mënyrë që të mund të hartojë politika ekonomike të përshtatura me nevojat e veta.
“Devolucioni nuk mjafton”, ishte në thelb mesazhi i tij. Suinney beson se kompetencat e plota të një shteti të pavarur do t’i jepnin Skocisë mundësinë për të marrë vendime të pavarura për ekonominë, emigracionin dhe marrëdhëniet me Bashkimin Evropian.
Ai foli gjithashtu për mundësinë e një referendumi të ri për pavarësinë. Në referendumin e vitit 2014, skocezët votuan kundër shkëputjes nga Mbretëria e Bashkuar, me rreth 55% të votave. Megjithatë, sipas Suinney-t, situata ka ndryshuar ndjeshëm që prej asaj kohe, sidomos pas Brexit-it.