Janë publikuar në rrjetet sociale pamje nga momenti i tmerrshëm i sulmit me armë në qendrën tregtare të Kopenhagenit.
Në video dëgjohen qartë të shtëna dhe njerëzit që thërrasin në panik, ndërsa përpiqen të largohen nga vendngjarje.
Policia arrestoi në vendngjarje një 22-vjeçar të armatosur me armë automatike, ndërkohe që motivet e sulmit janë ende të paqarta.
Lajmi u bë i ditur nga kreu i policisë së kryeqytetit, që konfirmoi po ashtu se nga ngjarja ka disa viktima, por pa dhënë shifra.
Ai tha se motivet e ngjarjes nuk janë ende të qarta, por nuk përjashtoi terrorizmin. Ngjarja e rëndë ndodhi në Field, qendra më e madhe tregtare në Danimarkë, e cila ka mbi 140 dyqane dhe restorante.
BBC sjell edhe dëshmitë e disa personave që ndodheshin në qendrën tregtare në momentin që nisën të shtënat. “Nuk e kuptoje çfarë po ndodhte, papritur shpërtheu paniku dhe kaosi gjithandej”, tha një dëshmitar.
Ndërkohë, gjatë mbrëmjes ishte planifikuar një koncert i këngëtarit britanik Harry Styles, jo shumë larg qendrës tregtare. Organizatorët njoftuan në Facebook se koncerti do të mbahej pas bashkëpunimit të ngushtë me policinë lokale.