
Vendet e Bashkimit Europian që kanë pritur, po presin dhe do të presin në të ardhmen refugjatë ukrainas kanë marrë ndihmën e parë urgjente, si pjesë e një fondi prej 3.5 mld eurosh nga fondet e përbashkëta të unionit.
Shuma është konceptuar si ndihmë financiare urgjente fillestare dhe të tjera shifra do të pasojë. Ajo do të tërhiqet nga fondet REACT-U, që janë rezervat e BE-së për të mbështetur rimëkëmbjen dhe stabilitetin ekonomik, mekanizëm i ngritur pas shpërthimit të pandemisë.
Shtetet anëtare me numër më të madh të mbërritjeve, si vende tranziti ose vende të destinacionit përfundimtar, do të marrin një pjesë më të madhe të këtyre parave.
Propozimi bën të mundur zbutjen e presionit mbi buxhetet publike të shteteve anëtare, në mënyrë që ato të përballen me fluksin e refugjatëve nga Ukraina.
Për këtë qëllim, parafinancimi nga kësti i vitit 2021 i REACT-EU do të rritet nga 11 për qind në 15 për qind për të gjitha vendet anëtare dhe nga 11 për qind në 45 për qind për ato vende të BE-së ku fluksi i refugjatëve nga Ukraina arriti në mbi 1 për qind e popullsisë së tyre në fund të muajit të parë pas pushtimit rus.
Vendet që do të marrin 45 për qind parafinancim janë Hungaria, Polonia, Rumania dhe Sllovakia, të cilat ndajnë një kufi me Ukrainën, si dhe Austria, Bullgaria, Çekia, Estonia dhe Lituania, të cilat kishin akomoduar një numër personash të zhvendosur ekuivalent me mbi 1 për qind e popullsisë së tyre deri më 23 mars 2022.