Një alarm për bombë ka "ngritur në këmbë" policinë e Kosovës pasditen e sotme, e cila ka rrethuar universitetin e Prishtinës, "Hasan Prishtina".
Policia është njoftuar nga rektori i universitetit, Naser Sahiti, i cili ka konfirmuar se në orët e pasdites kanë marrë një e-mail në nga një person anonim në të cilin shkruhej se në Rektorat ishte vendosur bombë.
“Kemi pranuar një e-mail anonim që është vendosur një bombë dhe e kemi dërguar informacionin në polici dhe tani policia e kanë rrethuar vendin dhe janë duke e trajtuar rastin”, tha Rektori i UP-së Sahiti.
Njësitë e specializuara të policisë së Kosovës kanë kontrolluar në çdo ambient të Universitetit dhe raportohet se nuk është gjetur asnjë lëndë shpërthyese. Madje kanë kontrolluar çdo pjesë të ndërtesës së rektoratit, edhe me ndihmën e Njësitit K9 (me qenë nuhatës) për të verifikuar nëse kishte të vendosur ndonjë mjet shpërthyes.
Fatmirësisht, alarmi ka rezultuar i rremë dhe njësitë anti-bombë janë larguar nga ambientet e Universitetit “Hasan Prishtina”.



