Tre ushtarë amerikanë janë vrarë dhe 25 të tjerë janë plagosur në një sulm me dron në Jordani, tha ushtria amerikane.
Komanda Qendrore e SHBA (CENTCOM) tha në një deklaratë se viktimat u shkaktuan nga një sulm me dron në një bazë në Jordaninë verilindore, pranë kufirit me Sirinë.
Presidenti amerikan Joe Biden tha se sulmi u krye nga "grupe militante radikale të mbështetura nga Irani".
Kjo është hera e parë që ushtarë amerikanë vriten në rajon pas sulmit të Hamasit në Izrael më 7 tetor.
Ka pasur sulme në bazat amerikane në rajon, por deri më tani nuk ka pasur viktima nga ushtria amerikane.
“Ndërsa ne jemi ende duke mbledhur faktet e këtij sulmi, ne e dimë se ai është kryer nga grupe militante radikale të mbështetura nga Irani që veprojnë në Siri dhe Irak”, tha Biden në një deklaratë.
"Jill dhe unë u bashkohemi familjeve dhe miqve të të rënëve tanë - dhe amerikanëve anembanë vendit - në pikëllimin e humbjes së këtyre luftëtarëve në këtë sulm të neveritshëm dhe tërësisht të padrejtë," shton deklarata.