Krahas kryeqytetit, protesta u mbajt edhe në disa qytete të tjera të vendit, ku qytetarët dolën në rrugë për të shprehur pakënaqësitë e tyre ndaj qeverisë.
Gjatë tubimeve pati marshime në rrugët e qyteteve, ndërsa në disa raste situata u tensionua, duke u shoqëruar me dëmtime të pronës publike dhe përplasje me efektivët e policisë.
DURRËS
Këtë të shtunë, protestë u mbajt edhe në qytetin e Durrësit. Protestuesit kanë vijuar me një marshim në rrugët e qytetit, gjatë të cilit u kanë vënë flakën kazanëve të mbeturinave dhe kanë dëmtuar sinjalistikën rrugore. Situata është tensionuar kur protestuesit kanë nisur të godasin efektivët e policisë, duke përshkallëzuar më tej situatën në terren. Pas përshkallëzimit të situatës, policia ka ndërhyrë për shpërndarjen e turmës, ndërsa ka nisur shoqërimin e disa prej protestuesve.
ELBASAN
Protestë është zhvilluar edhe në qytetin e Elbasanit, ku qytetarët janë bashkuar në tubimin e së shtunës. Edhe në këtë qytet, protestuesit kanë dëmtuar tabela dhe objekte të tjera publike gjatë zhvillimit të protestës. Dëmtimet janë shënuar në hapësira publike, ndërsa tubimi është zhvilluar në kuadër të protestave që janë mbajtur paralelisht në disa qytete të vendit.
SHKODËR
Rreth orës 14:00 të së shtunës, protesta nisi edhe në qytetin e Shkodrës. Protestuesit u mblodhën pranë Teatrit “Migjeni”, ku iu drejtuan efektivëve të policisë me thirrje që të hiqnin kapelet. Më pas, marshimi i tyre vijoi në drejtim të Bashkisë së Shkodrës, ku protestuesit vazhduan të shprehnin pakënaqësitë e tyre.
Thirrjet e protestuesve në Shkodër ishin të njëjta me ato të dëgjuara në Tiranë, ku kërkohej dorëheqja e qeverisë.